Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit Ilir Beqaj për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me garanci pasurore në vlerën e 20 milionë lekëve.
Në argumentet e paraqitura para gjykatës, Beqaj iu referua edhe vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i cili ndryshon praktikën unifikuese mbi paraburgimin. Sipas këtij vendimi, masa “arrest në burg” duhet të vendoset vetëm pasi të jenë shqyrtuar më parë masat alternative të sigurisë.
Ish-ministri i Shëndetësisë u arrestua më 4 korrik 2024 në lidhje me dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC.
Çështja SASPAC ndodhet prej afro një viti në fazën paraprake. Në paraburgim për këtë dosje vijojnë të qëndrojnë ish-drejtori i agjencisë SASPAC, Ilir Beqaj, si dhe bashkëpunëtori i tij, Ermal Kurtulaj.
Ish-kreu i menaxhimit të fondeve të BE-së akuzohet për pesë vepra penale, mes tyre korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, mashtrim, mashtrim në bashkëpunim dhe mosdeklarim pasurie.
Ndërkohë, dosja vijon të jetë në seancë paraprake dhe ende nuk është marrë një vendim mbi kërkesën e Prokurorisë për kalimin e saj për gjykim, ndërsa mbrojtja ka kërkuar procedurë të shkurtuar.
Lini një Përgjigje