Gazetari grek, Spiros Sideris ka komentuar vizitën e ministrit grek të Mbrojtjes në Tiranë dhe tha se çështja detare po përdoret më shumë për konsum politik sesa për të arritur një marrëveshje konkrete.
Gjatë një lidhjeje live për Euronews Albania, gazetari grek Spiros Sideris foli për vizitën që ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, zhvilloi këtë të hënë në Tiranë. Një nga temat që pritet të diskutohet mes palëve mbetet marrëveshja për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Sideris e cilësoi çështjen si shumë të ndërlikuar dhe tha se aktualisht nuk sheh vullnet real nga të dyja qeveritë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare.
“Mendoj se është një çështje shumë e komplikuar kjo e detit. Më duhet të sqaroj pak politikën greke dhe politikën e kësaj qeverie: ata krijojnë shumë histori vetëm e vetëm për opinionin e brendshëm. Ai kërkoi nënshkrimin e marrëveshjes për ta çuar çështjen në Hagë, por nuk ka insistuar dhe nuk ka bërë asgjë për ta çuar atë në Hagë. Nëse çështja duhet të shkojë në Hagë, duhet si për të kërcyer tangon, ai duhet të flasë me palën shqiptare për këtë çështje dhe të krijojnë kushtet që palët ta çojnë. Për momentin, kjo është vetëm një lojë politike dhe asgjë tjetër”, u shpreh gazetari grek.
Ai kujtoi gjithashtu negociatat e zhvilluara disa vite më parë mes ish-ministrit të Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati dhe ish-ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias, duke thënë se në atë periudhë palët kishin qenë pranë një dakordësie.
“Besoj se në vitin 2018, nëse nuk gabohem, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias ishin shumë pranë arritjes së kësaj marrëveshjeje, por nuk e di se kush e prishi këtë shans. Mendoj se është më mirë që të arrihet një marrëveshje bilaterale dhe të mos shkojmë në Hagë, sepse nuk e dimë kurrë se çfarë mund të vendosë Gjykata e Hagës mbi këtë çështje. Është mirë që të mos luajnë lojëra me çështje kaq të rëndësishme”, deklaroi ai.
I pyetur nga gazetari Thimi Samarxhiu nëse Shqipëria dhe Greqia mund të arrijnë vetë një marrëveshje për çështjen detare, Sideris u shpreh skeptik dhe tha se sipas tij palët nuk kanë interes politik për ta mbyllur këtë debat.
“Jo, nuk e mendoj. Besoj sepse të dyja qeveritë duan t’i zgjasin dallimet bilaterale vetëm për çështje politike. Ato nuk duan që të gjejnë një zgjidhje, ndaj e shoh të vështirë. Mendoj se na duhet dikush tjetër për ta bërë këtë, dikush si Shtetet e Bashkuara që t’i nxisë palët që të arrijnë një marrëveshje”, tha ai.
Në vijim të deklaratës së tij, gazetari grek komentoi edhe qasjen e SHBA-ve ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përmendur administratën Trump.
“Besoj se Shteteve të Bashkuara me qeverinë e Trump ju intereson biznesi, nuk ju intereson politika apo diplomacia. Nëse pranon të bësh biznes me ta, atëherë ata të mbështesin. Në rast të kundërt, të refuzojnë. Aktualisht nuk besoj se do të nënshkruhet ndonjë gjë e tillë”, përfundoi Sideris.
Lini një Përgjigje