Ky biznes i ngritur në toka e investime me miliona Euro, duhet hetuar si burim nga krimi ekonomiko- financiar me korrupsionin kur Ilir Beqja ishte ministër i PPP-ve e tenderëve në shëndetësi; biznes e pasuri, që ashtu si restorantin “Gzona” te Kalaja e Tiranës, ai e ka nisur pas largimit si ministër dhe e ka regjistruar në emër të gruas...
Marrja përsëri 8 orë në pyetje e ish-ministrit Ilir Beqaj nga prokurorët, është shenjë e qartë, se nga masa “Detyrim paraqitje”, ai do përfundojë në masë “Arresti me burg”, mbasi dhe Drejtësia Amerikane e ka me “kartelë të zezë”.
Por përveç aferës së pajisjeve kirurgjikale, nisur nga hetimi tjetër, mbi prova të dala nga përgjimet me vartësin e tij Ermal Kurtulaj dhe komikun Ermal Mamaqi për faturat e restorantit “Gzona”; Ilir Beqja ka një biznes e pasuri tjetër të madhe që duhet hetuar.
Ka fermën “Albania Ionian Coast Olive Oil” (AICOO), në fshatin Çlirim të Bashkisë së Finiqit, ngritur mbi 11 hektarë plantacione agrumesh, ullinjsh, vreshta, pemësh të tjera frutore, resort, shpendë, bagëti, fabrikë vaji, pijesh e lëngjesh.

Këtë fermë me biznes ushqimor agro-blegtori e turizëm në Finiq, Ilir Beqaj e ka investuar 1 vit pas largimit nga posti Ministër Shëndetësie, dhe e ka nisur si biznes në muajin qershor 2019, pesë muaj pas hapjes së restorantit “Gzona” te Kalaja e Tiranës.

Edhe fermën “Albania Ionian Coast Olive Oil” (AICOO), Ilir Beqaj e ka regjistruar në emrin e bashkëshortes Adriana Beqaj, ku legalisht ajo ka 55% të pronësisë, ndërsa 45% të pronësisë, Ilir Beqaj e ka fshehur te Kristi Sinani, menaxher i tij te kompania “INTECH+Sh.p.k” dhe aktualisht specialist në Bashkinë e Tiranës.
Por më 9 qershor 2023, ose 10 ditë pas prerjes së urdhër arresteve lidhur me aferën e pajisjeve kirurgjikale; për të fshehur gjurmët e lidhjeve me Ilir Beqjen, ortaku Kristi Sinani dhuroi 45% të aksioneve të e ëma e tij Renata Sinani. (Shënim: Për datën e urdhër- arresteve, prokurori Edvin Kondili, tha se ishin fimosur në qershor, por u zbatuan në gusht).
Banorët e Finiqit, janë çuditur kur në zonën e tyre, Ilir Beqja nga Shkodra, është shfaqur me fermën e tij kompleks prodhimesh e përpunimi produktesh agro-bujqësore e blegtorale, por mund të ketë blerë tokën dhe objektet te ish-SMT e Finiqit.
Këtë duhet ta hetojë SPAK-u, për të zbuluar origjinën e tokës, burimet finanaciare të blerjes së tokës, të investimeve në plantacione agrumesh, vreshta, pemëtore, dhomë frigoriferike, ferma bagëtish e shpendësh dhe linja prodhimi vaji, pijesh, bulmetrash.
Ilir Beqja duhet hetuar edhe për këtë biznes e pasuri të madhe në Finiq, gjersa SPAK e ka marrë të pandehur për korrupsion gjatë detyrës si ministër, por edhe nën hetim gjatë detyrës si Drejtor i Donacioneve, me objekt shpërdorim detyre, pabarazi në tenderë, pastrim parash, falsifikim faturash tatimore e fshehje pronësie të restorant “Gzona”.
Madje SPAK, duhet të hetojë dhe indiciet, që këto toka janë prona shtetërore dhe Ilir Beqja i ka marrë falas me kontratë koncesioanre për 99 vite si “fermer”, por edhe mijëra Euro nga grandet e AZHBR me vendimin e Frida Krifcës./Pamfleti
Lini një Përgjigje