
Zbardhet skema e abuzimit të 2 drejtorëve dhe vartësve të tyre në Bashkinë e Korçës, të cilët kanë shkaktuar një dëm prej 30 milionë lekësh.
Zhaneta Lubonja, me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Soniel Prifti, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, Ermal Gjermeni, Përgjegjës i Sektorit në këtë drejtori dhe Olvas Petro me detyrë specialist u pezulluan nga detyra më 10 prill 2024.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se prokuroria ka gjetur shkelje ne procedurën e lejeve të ndërtimit për afro 20 subjekte.
Sipas po të njëjtave burime të proceduarit, për qëllime përfitimi kanë dhënë leje ndërtimi për objekte të deklaruara për banim, ndërkohë që ato janë shfrytëzuar për tregti.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë për objektet e banimit ështe 3% e vlerës së investimit, ndërkohë për objektet e shërbimit dhe tregtisë kjo taksë është 8% e vlerës së investimit.
Ndaj zyrtarëve të pezulluar në bashkinë e Korçës është dhënë masa e sigurisë detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore prej Prokurorisë së Korçës dhe po hetohen për ‘Shpërdorimit të detyrës’ në bashkëpunim, ndërsa një tjetër dyshohet për ‘Moskallëzim krimi’.
Lini një Përgjigje