
Arlind Qori, kreu i "Lëvizjes Bashkë" mbështet procesin e rinumërimit të votave në disa qarqe pas ankimimit të kandidatëve. Ai u shpreh se ka akuza dhe dyshime se partitë kanë vjedhur kandidatët e tyre dhe kërkoi që përgjegjësit të përballen me penalitete nëse i kanë bërë qëllimisht.
“Rinumërimi i votave gjithmonë është një veprim pozitiv. Sepse bëhet verifikimi dhe ballafaqimi i procesit të votimit dhe votave, për të kuptuar vërtetë vullnetin e qytetarëve, rolin e numëruesve, por edhe nëse na duhet një model i ri numërimi, nëse ka gabime me ndryshim rezultati, nuk themi për gabime njerëzore, por për ato që kanë pasur qëllim të keq. Në fund të procesit të dali e vërteta dhe përgjegjësit. Përgjegjësit të përballen me Kodin Penal, sipas ligjit dhe ta vënë vëth në vesh. Na duhet model i ri votimi e numërimi, mjaft më me alabakë që rrinë te dera e qendrës së votimit”, tha Qori.
Ai e cilësoi pozitiv rezultatin e Lëvizjes Bashkë, ku nga një parti joparlamentare, u kthye në një subjekt që do jetë në Kuvendin e ardhshëm me Redi Muçin.
“Ne kemi kontestuar disa kuti, ku ka dalë një apo dy vota më shumë nga procesverbali, por që nuk ndryshon rezultatin. Për të qenë korrekt i kemi verifikuar kutitë me anë të filmimeve. Por besoj se brenda kandidatëve mund të jetë bërë kërdia dhe ata që janë përgjegjës, nëse është bërë, të japin llogari. E cilësoj pozitiv rezultatin, nga një parti joparlamentare jemi kthyer në parlamentare. Nuk kemi pjesë e partisë deputetë apo zyrtarë, fakti që çam bllokadën institucionale, është shenjë e mirë. Donim rezultat më të mirë, por nuk ia dolëm. PS mori rezultat të thellë se përdori mekanizma të paligjshëm për ta arritur. Fakti që çamë pragun elektoral dhe të përfaqësohemi, kjo është shumë pozitive. Lëvizja Bashkë është parti antisistem, me ideale dhe virtyt, kundër atyre që cenojnë interesin publik”, u shpreh kreu iLëvizjes Bashkë.
Qori hodhi dyshime të forta se si disa kandidatë partish morën diferenca të mëdha votash nëpër periferi.
“Do donim që zgjedhjet e tjera qytetari shqiptar të votojë si njeri normal. Qytetari shqiptar kam vënë re se ka ende frikë, se familjari i tij është në punë, se ka një biznes të vogël, shteti i ka në dorë, shumë qytetarë janë të lidhur pas shtetit me të drejta sociale të vogla, e që mund t’u hapen probleme. Aspekti tjetër është harxhimi i shumave të mëdha financiare nga partitë e mëdha në fushatë elektorale apo në zgjedhje. Si mund të jetë kjo garë e barabartë dhe e ndershme. Duhet t’i themi problemet. Shqipëria ka ndryshuar, sot vidhet ndryshe, jo me brutalitet, por më e sofistikuar. Në zona të ndryshme dallohet një rezultat i thellë, pushtet i jashtëzakonshëm, ku ka gangsterë me kostum dhe fustan, e ku ka shumë probleme, bie në sy. Si i morën votat partitë e gangsterëve nëpër periferi?”, tha ai për “Report Tv”.
Lini një Përgjigje