TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Janar 2026, 13:27

Hajduti i fondeve te BE flet për standarde evropiane, Beqaj ankohet se nuk i lexon dot dosjet në burg

Shkruar nga Pamfleti

Hajduti i fondeve te BE flet për standarde evropiane, Beqaj ankohet se nuk

Në Shqipëri ndodhin edhe këto paradokse. Ilir Beqaj, një nga emrat më të përfolur për abuzime masive, koncesione të dyshimta dhe shkelje pa fund në sektorin e shëndetësisë, ka dalë publikisht për të dhënë leksione mbi të drejtat e njeriut dhe procesin e rregullt ligjor. Shkak është bërë ankesa se në paraburgim nuk i lejohet akses elektronik në dosjet gjyqësore.

Përmes avokatit të tij, Beqaj ankohet se prej vitesh Gjykata e Posaçme zhvillon procese me mijëra faqe, ndërsa të paraburgosurit nuk kanë mundësi t’i lexojnë dosjet në format elektronik. Sipas tij, kjo përbën shkelje të rëndë të të drejtës për mbrojtje. Një shqetësim thellësisht human, që vjen pikërisht nga një personazh që për vite me radhë nuk u shqetësua aspak për ligjin, transparencën apo dinjitetin e qytetarëve.

Në letrën e gjatë, ish-ministri shpjegon me detaje rregullore, nene ligji dhe interpretime juridike, duke u shfaqur papritur si mbrojtës i standardeve evropiane të drejtësisë. Ironia qëndron te fakti se për vite të tëra, ndërsa mijëra qytetarë përballeshin me shërbime shëndetësore të degraduara dhe skema abuzimi, Beqaj nuk gjeti kohë të denonconte asnjë shkelje. Sot, kur dosjet janë përballë tij, sistemi papritur qenka “i padrejtë”. Po ashtu Beqaj është ai që ndodhet në burg për vjedhje të fondeve të BE.

Beqaj shkon më tej duke aluduar se institucionet po e lodhin qëllimisht të pandehurin, për ta detyruar të pranojë gjykim të shkurtuar. Një tezë interesante, sidomos kur vjen nga një ish-zyrtar që e përdori pushtetin për vite si pronë private. Në fund, ish-ministri kërkon reagim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe flet për “mungesë mbrojtjeje”, sikur të mos kishte qenë vetë simbol i një sistemi që mbrojti korrupsionin dhe jo qytetarin.

Beqaj:  Qartazi, as ligji dhe as rregullorja nuk e ndalojnë përdorimin e një kompjuteri pa internet. Çdo pretendim i kundërt është keqlexim, keqinterpretim ose shmangie përgjegjësie.

Ndërkohë, dikush mund të thotë që vërtet Rregullorja nuk flet tekstualisht për “kompjuterët” por kompjuterët e sotëm janë edhe “pajisje transmetimi dhe komunikimi” dhe për këto të fundit flitet në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve.

E vërtetë. Kopjuterët e sotëm mund të jenë pajisje transmetimi dhe komunikimi por edhe s’mund të jenë. Ka plot pajisje kompjuterike që nuk kanë kartë rrjeti dhe me të cilat vetëm mund të lexosh dokumentet elektronike të dosjes gjyqësore, por nuk mund të transmetosh asnjë mesazh apo të komunikosh me apo pa akses në internet. Por këto pajisje nuk ofrohen as që të sillen në IEVP nga vetë të akuzuarit, as që të blehen prej tyre në njësinë tregtare të DPGJ, dhe as që IEVP t’i mbajë ato në një ambient të caktuar dhe të monitoruar as që të akuzuarit e paraburgosur t’i përdorin ato në orare të caktuara.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për televizorët. Edhe ata në ditët e sotme mund të konsiderohen si pajisje që transmetojnë dhe me të cilët mund të komunikosh për shkak se janë smart. Por ama të paraburgosurve i mundësohet që në njësinë tregtare të DPGJ të blejnë online një televizor që nuk është smart dhe ta disponojnë atë në dhomën e tyre. Po përse është kaq e pamumdur që e njëjta gjë të bëhet edhe për kompjuterët pa internet?

Nëse një i akuzuar në paraburgim do të tentonte që të gjente zgjidhje për këtë problem përmes prokurorëve apo gjyqtarëve të çështjes, do të përballej me një shumëllojshmëri përgjigjesh të ndryshme që në thelb nuk kanë lidhje me ndonjë ndalim ligjor dhe gjithashtu shpërfillin dhe nuk tentojnë t’i japin zgjidhje (ndoshta dhe me vullnet) një të drejte bazike të të akuzuarit të paraburgosur në një proces gjyqësor.

Në një nga seancat gjyqësore në Gjykatën e Posaçme, i pyetur nga Gjykata, Prokuroi i çështjes ka deklaruar që: “pajisje si USB, hard drive etj. nuk lejohen”. Ndërkohë në një seancë tjetër gjyqësore, po në Gjykatën e Posaçme, një tjetër prokuror në lidhje me një tjetër çështje timen, po i pyetur nga Gjykata, ka deklaruar që: “nuk ka kundërshtim, por se është çështje e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.”. Ndërkohë, në një seancë tjetër gjyqësore, po në Gjykatën e Posaçme, vetë Gjykata është shprehur që ajo nuk ka autoritet të urdhërojë një institucion tjetër, siç është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për mundësimin ndaj të pandehurit të një pajisje të tillë kompjuterike pa akses në internet. Sa më sipër janë eksperienca personale të miat.

Pra edhe kur flasin, flasin jo në përputhje me ligjin, dhe askush nuk mban përgjegjësi për një proces gjyqësor që nuk respekton një të drejtë themelore të të akuzuarit në paraburgim dhe ç’është më e keqja, të gjithë këta edhe duan që të vazhdojë e të ecë përpara një proces i tillë dhe çdo pretendim i të akuzuarit  të paraburgosur për të lexuar këto dokumente elektronike konsiderohet si perpjekje e tij për të vonuar procesin dhe pretendim i paqenë.

Po përse gjithë kjo shpërfillje ndaj kërkesës legjitime dhe bazike të të akuzuarve të paraburgosur? A mos vallë synohet që i akuzuari të lodhet, të demoralizohet, të pranojë gjykimin e shkurtuar pa e njohur dosjen e tij? A synohet të ulet cilësia e mbrojtjes duke e kthyer atë në një formalitet? Ndoshta. Sepse një shpjegim tjetër ligjor dhe logjik nuk ekziston.

Ligji fajësohet për një ndalim që nuk e parashikon.

Institucionet shmangin përgjegjësinë.

Gjykata fshihet pas gishtit.

Dhe kështu, një e drejtë themelore gërryhet çdo ditë, pa zhurmë.

Atëherë kujt mund t’i drejtohet një i akuzuar  i paraburgosur për një të drejtë të tij themelore që shpërfillet çdo ditë pa zhurmë?

Eshte koha për t’i dhënë fund proceseve që nuk garantojnë aksesin real të të akuzuarit në dosjen e tij.

Shpresoj të reagojë Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Nëse edhe ajo hesht, atëherë problemi nuk është më vetëm mungesa e aksesit të të akuzuarit të paraburgosur në dosjen e tij gjyqësore, por edhe mungesa e vetë mbrojtjes.



Lini një Përgjigje