
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të gjykatës.
GJKKO thotë se ngjarja është goditje e rëndë për sistemin e drejtësisë, si dhe kërcënim serioz për pavarësinë e gjyqësorit.
“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpreh me dhimbje dhe indinjatë të thellë reagimin ndaj ngjarjes tragjike të ndodhur sot, ku humbi jetën në mënyrë të dhunshme gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja. Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin tonë me familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja. Humbja e një përfaqësuesi të drejtësisë në mënyrë të tillë është një goditje e rëndë për të gjithë sistemin gjyqësor dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi. Ngjarja e sotme është një alarm për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin magjistratët në Republikën e Shqipërisë.
Gjyqtarët janë shtylla të sistemit të drejtësisë dhe garantues të shtetit të së drejtës, ndaj siguria e tyre personale është jo vetëm një detyrim institucional, por një domosdoshmëri për funksionimin normal të sistemit demokratik dhe sundimit të ligjit. Ky akt kriminal është një kërcënim serioz ndaj pavarësisë së gjyqësorit, integritetit të funksionit të magjistratit dhe besimit të qytetarëve në shtetin e së drejtës. Askush që mban mbi supe përgjegjësinë për të garantuar zbatimin e ligjit nuk duhet të ndjehet i pambrojtur.”-thuhet në reagimin e GjKKO.
Një reagim ka ardhur edhe Avokati i Popullit për këtë ngjarje të rëndë, ku shprehet se është nevojë urgjente reflektimi dhe përgjegjësia institucionale, ndërsa ngjarja është cilësuar si më e paprecedenta në historinë e drejtësisë shqiptare.
“Një gjyqtar, përfaqësues i pushtetit të drejtësisë, u vra sot brenda sallës së gjyqit teksa jepte vendimin. Kjo është një nga ngjarjet më të paprecedenta në historinë e drejtësisë shqiptare dhe një alarm i rëndë për shtetin ligjor, për sigurinë publike dhe për shoqërinë tonë.
Avokati i Popullit shpreh tronditjen e thellë për humbjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe në të njëjtën kohë, ngre me forcë nevojën urgjente për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, në çdo hallkë që ka detyrimin të garantojë jetën dhe integritetin e atyre që i shërbejnë drejtësisë.
Përtej vetë veprimit kriminal të ndodhur sot, kjo ngjarje e rëndë na detyron të kthejmë vështrimin tek rrënjët e një sistemi të mbingarkuar ndër vite, me vakanca të theksuara dhe me një ngarkesë që e ka penguar të funksionojë me eficIencë jo vetëm në raport me pritshmëritë e qytetarëve, por shpesh edhe nën standardet e periudhës para reformës në drejtësi.
Po aq shqetësuese mbetet kultura e munguar ligjore që shpesh e sheh gjykatën si armik, jo si garanci të së drejtës dhe diskursi publik që, në vend të argumentit dhe respektit ndaj ligjit, ushqen mosbesimin, përbuzjen dhe agresionin. Në këtë klimë, drejtësia është e pambrojtur, dhe me të e pambrojtur mbetet edhe vetë shoqëria. Drejtësia nuk mund të ushtrohet nën frikë”-thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.
Ndërsa Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë e konsideron vrasjen e gjyqtarit në kufijtë e aktit terrorist.
Kjo shoqatë evidenton gjithashtu edhe gjuhën e urrejtjes ndaj gjyqtarëve që ka ndikuar në polarizimin e klimës.
Reagimi i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë shpreh hidhërimin e madh dhe revoltën e thellë për ngjarjen tragjike dhe tepër të rëndë që ndodhi sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Me këtë rast, ajo i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Një veprim i tillë barbar, në kufijtë e aktit terrorist, tregon pasigurinë e madhe në të cilën gjyqtarët e republikës duhet të punojnë dhe mungesën tërësore të infrastrukturës në një nga gjykatat më të rëndësishme të vendit, sikurse në shumë tjera. Në të njëjtën kohë ajo është një kambanë alarmi për polarizimin e thellë të shoqërisë, që ushqehet nga arroganca e segmenteve të ndryshëm politikë ndaj pushtetit gjyqësor dhe balta mediatike e hedhur mbi ta nga portale të caktuara online.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë jep mbështetjen e pakursyer për të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm por jo vetëm, duke i inkurajuar për të vazhduar të paepur misionin e tyre fisnik të dhënies së drejtësisë, pavarësisht tronditjes për humbjen e kolegut të shtrenjtë gjatë ushtrimit të detyrës.
Një ngjarje e tillë na bën të kuptojmë se gjuha e urrejtjes ndaj pushtetit gjyqësor në përgjithësi dhe gjyqtarëve në veçanti mund të sjellë pasoja të paparashikueshme. Autorët e akteve të tillë monstruozë mund të arrestohen, por nxitësit e përçmimit dhe dhunës ndaj gjyqësorit janë organizatorët e vërtetë të tyre. Le të shërbejë kjo ngjarje si një paralajmërim për të gjithë institucionet shtetërore për të kuptuar gjendjen mjerane të sigurisë në gjykata dhe vulnerabilitetine e jetës së gjyqtarëve.
Lini një Përgjigje