
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) u mblodh sot, më 6 tetor 2025, për të mbajtur qëndrimin publik pas ngjarjes së rëndë në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua në krye të detyrës nga Elvis Shkëmbi.
Në deklaratën e bërë publike, KLGJ shprehu “dhimbje të thellë” për humbjen e gjyqtarit dhe dënoi me ashpërsi krimin e ndodhur në sallën e gjyqit, duke e cilësuar atë si një akt që godet themelet e shtetit të së drejtës.
“Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat”, thuhet në reagim.
Këshilli thekson se respektimi i pavarësisë dhe sigurisë së magjistratëve është gur themeli i drejtësisë, dhe çdo cënim fizik ndaj tyre përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve demokratike dhe rendit ligjor.
“Çdo akt që sulmon apo cenon integritetin e gjykatave, dëmton gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim. Cënimi i gjyqtarëve nuk është vetëm kundër individëve, por kundër vetë shtetit të së drejtës”, thekson KLGJ.
Në qëndrimin e tij, Këshilli dënon edhe gjuhën e urrejtjes dhe denigrimin publik të figurës së gjyqtarit, që sipas tij kanë ndikuar në krijimin e një klime armiqësore ndaj drejtësisë.
“Dënojmë përdorimin e gjuhës së urrejtjes, denigrimin e figurës së magjistratit dhe mungesën e respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore”, thuhet më tej në deklaratë.
Në fund, Këshilli i Lartë Gjyqësor shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe mirënjohje për solidaritetin e treguar nga institucionet dhe qytetarët në këtë moment të dhimbshëm.
Deklarata e plotë
Me dhimbje të thellë Këshilli i Lartë Gjyqësor mësoi për ngjarjen kriminale të vrasjes, në sallën e gjyqit, dhe në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon me forcë aktin kriminal të vrasjes së kolegut tonë, si edhe thekson se çdo akt që sulmon, apo cenon integritetin e gjykatave, dëmton gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim.
Këshilli thekson se respektimi i pavarësisë dhe sigurisë së magjistratëve është gur themeli i shtetit të së drejtës, përmes të cilit garantohet mbrojtja e të drejtave të gjyqtarëve dhe interesi publik.
Cënimi i integritetit fizik të gjyqtarëve përbën sulm të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj magjistratëve por edhe ndaj shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, si dhe interesit dhe besimit të publikut.
Dënojmë me forcë një akt të tillë kriminal, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes, denigrimin e figurës së magjistratit dhe mungesën e theksuar të respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore.
Në këto momente dhimbjeje kolektive ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjarët, të afërmit e viktimës dhe kolegët.
Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh mirënjohjen e thellë për solidaritetin e treguar në këtë ditë të vështirë, nga të gjitha institucionet, subjektet dhe individët që shfaqën publikisht respektin e tyre ndaj gjyqësorit
Lini një Përgjigje