
Politikani Faik Basha, deklaroi se kryeministri Rama, me fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së Bordit të Paqes, arriti të tërhiqte vëmendjen e Presidentit amerikan Donald Trump për çështjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I ftuar në "A2 CNN", Basha theksoi se momenti i ndërhyrjes ishte i rëndësishëm, pasi procesi gjyqësor ka hyrë në fazën përfundimtare.
“E rëndësishme është që u tha në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, sepse kemi arritur në fazën finale ku ka mbaruar punë edhe mbrojtja edhe prokuroria dhe tani do të kemi fjalën e gjyqtarëve”, u shpreh ai.
Sipas tij, Rama përmendi elementë kyç për të vënë çështjen në vëmendjen e administratës amerikane.
“Sigurisht që zoti Rama përmendi të gjitha elementët e nevojshëm për të tërhequr vëmendjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kjo u pa kur përfundoi bordi, e kishte tërhequr vëmendjen dhe u pa që Presidenti Trump, Presidentja e Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë ishin në një takim të përbashkët ku mendoj që kanë dhënë detaje më të zgjeruara në lidhje me këtë proces”, tha ai.
Megjithatë, thelbi i qëndrimit të tij ishte kritika për procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai theksoi se "aty nuk po jepet drejtësi, por po përbaltet lufta e mbuluar me sakrifica dhe gjak".
“Aty nuk po jepet drejtësi. Aty po përbaltet një luftë e cila është bërë me mund, me gjak dhe me sakrifikimin e shumë djemve të rinj, vajzave të reja, fëmijëve, pleqve dhe plakave”, deklaroi Basha, duke shtuar se politika duhet të ndërhyjë pasi, sipas tij, drejtësia nuk po vihet në vend.
Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin me nga 45 vite burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Vendimi i Gjykatës Speciale pritet të jepet në muajin mars.
Pse qenka Politikan polici i LSI Faul Basha? Sumlepiresi Basha, si shumë e shumë të tjerë.