Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ka refuzuar të dëshmojë sot në sallën e gjyqit. Në GJKKO u mbajt seanca e radhës kundër tij dhe u kërkua që vetë Beleri të flasë. Por ai ka refuzuar. Ndërkohë sot pritej të dëshmonte vëllai i Arsen Ramës. Ky i fundit është i infiltruari i policisë, që mori para nga Fredi Beleri për vota.
Abdyl Rama nuk ka qenë i pranishëm në seancë, por ka qenë SPAK që ka la lexuar dy dëshmi të dhëna prej tij në ambientet e prokurorisë.
Abdyl Rama që prej muajit korrik rezulton i zhdukur dhe nuk gjendet dot as nga policia dhe as nga prokuroria. Dyshohet se ai ka gjetur strehim jashtë vendit dhe SPAK është detyruar të ofrojë si provë deklarimet gjatë marrjes në pyetje. Dëshmia e parë ishte dhënë në prokurorinë e Vlorës, ditën e arrestimit dhe tjetra në qershor në SPAK.
"Pak ditë pas arrestimit të Belerit më kapën në Himarë dy persona që më i kërkuan të tërhiqnin deklarimet e tij dhe të vëllait Arsen Rama. Ata thanë se janë miqtë e Belerit. Nëse do të tërhiqni deklarimet do t’i sigurojmë azil politik për vëllain në Greqi. Në një ditë tjetër duke ikur në Livadh me motor më preu rrugën një person dhe që në duar dukej sikur mbante një armë më ka kërcënuar dhe sharë greqisht nga nëna që më ka vdekur. Që kur u arrestua Fredi Beleri ne na ka falimentuar biznesi sepse nuk na blen më njeri peshk si dhe në Himarë nuk na flet më njeri”, thuhet në dëshminë e Avdyl Ramës të lexuar sot në prokurori.
Por kjo u refuzua nga avokatët e Belerit, të cilët pretendojnë se të dy vëllezërit rezultojë të dënuar për mashtrim. “Abdyl Rama dhe Arsen Rama janë dënuar në 2-3 gjykata të Shqipërisë për çështje të ndryshme. Në 19 qe është shtyrë gjyqi ai ka një gjyq këtu dhe nuk e gjejnë dot. Ky është Abdyl Rama që nuk e gjejnë dot. Janë dy vëllezër që kanë organizuar të gjithë këtë. Njëri vëlla është në mbrojtje të tjetrit. Kjo është e vërtet. Janë disa herë të dënuar të dy, i përdor policia”, tha avokati i Belerit.
Kujtojmë që Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Vetë Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. Sot seanca u ndoq dhe nga ambasadorja greke.
Lini një Përgjigje