TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Dhjetor 2023, 14:20

Gjykata vendosi arrestin, avokati Genc Gjokutaj tregon ku ndodhet Sali Berisha

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata vendosi arrestin, avokati Genc Gjokutaj tregon ku ndodhet Sali Berisha
Genc Gjokutaj dhe Sali Berisha

Gjykata e Posaçme sot izoloi Sali Berishën.

Gjyqtarja Irena Gjoka shpalli sot vendimin, duke pranuar kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin.

Por ku ndodhet Berisha tani?

Avokati i tij, Genc Gjokutaj deklaroi në një prononcim për mediat jashtë dyerve të gjykatës se “zoti Berisha ndodhet në shtëpi”.

Arresti i shtëpisë do të shoqërohet me mbikëqyrje policore që do të thotë se në derën e shtëpisë së Sali Berishës do të vendosen efektivë. Sa i përket kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, avokati tha se e kishte nisur me postë, por që sipas gjyqtares nuk kishte ardhur akoma deri në dhënien e vendimit.

Në vendimin që mban firmën e gjyqtares Irena Gjoka, Berisha duhet të mos largohet nga banesa dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të.

Po ashtu, gjykata ka vendosur që të pranojë kërkesën e SPAK që Berisha të mbikëqyret nga policia.

“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet në vendimin e GJKKO.

 

genc gjokutaj sali berisha

Lini një Përgjigje