Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi sot kërkesën e SPAK për masën shtrënguese arrest shtëpie ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në vendimin që mban firmën e gjyqtares Irena Gjoka, Berisha duhet të mos largohet nga banesa dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të. Po ashtu, gjykata ka vendosur që të pranojë kërkesën e SPAK që Berisha të mbikëqyret nga policia.
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Gjykata deklaron po ashtu se për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkon dy prokurorët Millonai dhe Kraja.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Lini një Përgjigje