
Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë gazetarit Elton Qyno në betejën ligjore me Prokurorinë e Posaçme për mbrojtjen e burimit të informacioneve.
Avokati Dorian Matlija tha se vendimi i Kushtetueses për gazetarin Qyno, vendosi një standard të rëndësishëm. Ai shtoi se ky vendim tregoi që liria e shprehjes është një nga të drejtat më delikate që duhet mbrojtur.
"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese tashmë ka bërë më të fortë mbrojtjen ndaj gazetarëve. Ne nuk është se ishim pa një mbrojte të tillë, sepse Gjykata e Lartë në vitin 2021 për rastin Lapsi mori një vendim të ngjashëm por mesa duket nuk ishte aq i fortë sa për t’i vënë fre një strukture të re siç është SPAK. Ishte një standard edhe më i lartë për t’i treguar kësaj strukture të posaçme që ka kufij, që liria e shprehjes është një nga të drejtat më delikate që duhet mbrojtur dhe mënyrat e të vepruarit të SPAK në rastin konkret dhe mënyra se si gjykata e shkallës së parë, të dytë dhe Gjykata e Lartë e lejuan, në kalim të kufijve që përcakton Kushtetuta dhe konventa europiane e të drejtave të njeriut", tha avokati Matlija për “Report Tv”.
Avokati tha gjithashtu se duhet të kishte pasur hetim disiplinor për magjistratët e implikuar në çështjen e Qynos. Sipas tij, gazetarit i janë sekuestruar materialet në mënyrë brutale dhe pa praninë e avokatit.
Lini një Përgjigje