
GJKKO është tërhequr për të dhënë vendimin, pasi më në fund është zhvilluar seanca paraprake përsa i takon dosjes së SPAK lidhur me çështjen “Partizani”.
Në seancën e sotme i fundit që paraqiti qëndrimin e tij ishte avokati i kompanisë “Homeplan” dhe menjëherë pas tij, GJKKO u tërhoq për të marrë një vendim se çfarë do të ndodhë me dosjen.
Mbrojtja e të pandehurve në këtë proces ka kërkuar pushimin e çështjes dhe pavlefshmërinë e disa provave të paraqitura nga SPAK. Prokuroria Speciale në anën tjetër ka kërkuar që dosja të kalojë për gjykim.
Tashmë i takon GJKKO të shprehet nëse dosja në fjalë do të kalojë ose jo për gjykim, pas rreth 6 muaj nga momenti kur SPAK e depozitoi atë në Gjykatë.
Në gjykim lidhur me këtë çështje janë ish-Kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, si dhe 3 persona të tjerë.
Seanca e parë paraprake u mbajt në 24 tetor 2024 dhe për plot 6 muaj procesi u shty në forma të ndryshme deri në ditën e sotme.
Nëse dosja kalon për gjykim, ky do të ishte procesi i parë penal i ish-Kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa dhëndri i tij është nën “arrest shtëpie” për akuzat korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Lini një Përgjigje