
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka paralajmëruar për ekzistencën e një faqeje të paautorizuar në internet, e cila ofron informacion të ngjashëm me atë të platformës zyrtare për aplikimet për vizë në Shqipëri.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për faqen https://evisia-al.com/albaniavisaenquirylive/, e identifikuar gjatë monitorimit të burimeve të hapura online, e cila përmban materiale të ngjashme me ato të faqes zyrtare.
MEPJ sqaron se kjo faqe nuk është zyrtare dhe nuk është e autorizuar nga autoritetet shqiptare për të ofruar shërbime apo informacion lidhur me procedurat e vizave.
Ministria thekson se e vetmja platformë zyrtare për aplikimet për vizë elektronike është https://e-visa.al/, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe të interesuarve të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin vetëm burime zyrtare për të shmangur abuzimet.
Ndërkohë, organet e sigurisë kibernetike dhe autoritetet ligjzbatuese janë angazhuar për të bllokuar aktivitetet e paligjshme dhe për të identifikuar personat përgjegjës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
MEPJ bën të ditur se po ndjek nga afër këtë çështje, me qëllim marrjen e masave të nevojshme.
"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) njofton se, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura në internet, është konstatuar ekzistenca e faqes:
https://evisia-al.com/albaniavisaenquirylive/ e cila përmban materiale dhe informacion të ngjashëm me ato të publikuara në faqen zyrtare të aplikimit për vizë hyrjeje të shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë kuadër, sqarojmë se faqja e sipërcituar nuk është faqe zyrtare dhe nuk është e autorizuar nga autoritetet shtetërore shqiptare për të ofruar informacion apo shërbime lidhur me procedurat e vizave.
Theksojmë se faqja e vetme zyrtare për aplikimet për vizë elektronike shqiptare, së cilës duhet t’i drejtoheni, është: https://e-visa.al/ MEPJ u bën thirrje qytetarëve dhe të interesuarve të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin vetëm burime zyrtare për aplikime dhe informacion, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm.
Organet e sigurise kibernetike dhe autoritetet ligjzbatuese po marrin masa për të bllokuar cdo aktivitet të paligjshëm si dhe gjurmimin dhe ndjekjen e personave përgjegjes sipas legjislacionit në fuqi. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke e ndjekur këtë çështje me qëllim marrjen e masave të nevojshme.", thuhet njoftimin e Ministrisë.
Lini një Përgjigje