TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Prill 2026, 08:01

Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën, urimi i Imzot Arjan Dodajt: Shpresë dhe rilindje për çdo familje

Shkruar nga Pamfleti
Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën, urimi i Imzot Arjan
Kremtimi i Pashkës

Besimtarët katolikë në mbarë botën festojnë sot Pashkët, ditën që përkujton ringjalljen e Krishtit dhe që konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit fetar.

Kremtimet nisën që në mbrëmjen e së shtunës me meshën solemne të vigjiljes, e cila u mbajt në të gjitha kishat, për të vijuar gjatë ditës së diel me ritualet dhe traditat përkatëse.

Në Tiranë, në katedralen “Shën Pali”, besimtarë të shumtë u mblodhën për të ndjekur meshën e ringjalljes, e cila nisi rreth orës 22:00. Gjatë ceremonisë, Arqipeshkvi Imzot Arjan Dodaj shpalli lajmin e ringjalljes së Krishtit dhe theksoi rëndësinë shpirtërore të kësaj nate që simbolizon kalimin nga errësira në dritë.

Në mesazhin e tij, ai uroi që kjo festë të sjellë shpresë dhe rilindje në jetën e përditshme të besimtarëve, duke theksuar se besimi i jep forcë njeriut për të përballuar sfidat dhe për të parë me optimizëm të ardhmen.

“Një Pashkë të shenjtë që të jetë rilindje në shpirt në familjet tona, në çdo të ri e të re shqiptare. Me Zotin çdo shpresë e vdekur ringjallet e merr jetë me më shumë dritë, entuziazëm për të sotmen e të ardhmen. Kush beson, kurrë nuk i trembet jetës, së ardhmes, kurrë nuk u shmanget sfidave.”, tha Imzot Dodaj.

Besimtarët, nga ana e tyre, ndanë urime për paqe, mirëqenie dhe më shumë harmoni mes njerëzve.

Kjo festë vjen pas periudhës së Kreshmës, gjatë së cilës besimtarët praktikojnë sakrificën dhe përmbajtjen për 40 ditë, në kujtim të sakrificës së Krishtit.

Ndërkohë, në Vatikan u mbajt mesha qendrore e Pashkëve nga Papa Leone XIV.

Dita e Pashkës nis tradicionalisht me ushqime të bekuara dhe vijon me meshën e paradites. Një nga simbolet kryesore të kësaj feste është veza e kuqe, që shkëmbehet mes besimtarëve si shenjë e jetës dhe ringjalljes.

Në familjet shqiptare, kjo ditë shënohet edhe me tryeza festive, ku shërbehen gatime tradicionale, ndërsa theksi vihet edhe tek falja dhe pajtimi, duke e kthyer Pashkën në një moment reflektimi dhe afrimi mes njerëzve.

Lini një Përgjigje