TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Prill 2026, 13:00

Arqipeshkvi Dodaj mesazh të fortë në urimin e Pashkëve: Mos prisni nga të huajt, reagoni ndaj korrupsionit

Shkruar nga Pamfleti
Arqipeshkvi Dodaj mesazh të fortë në urimin e Pashkëve: Mos
Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Arjan Dodaj

Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Arjan Dodaj dha sot një mesazh të fortë politik në urimin në vigjilje te Pashkës.

Dodaj u shpreh se ndryshimin duhet ta bëjmë ne dhe jo ta presim nga jashtë dhe shtoi se sot ka nevojë për ndërgjegjje reaguese ndaj korrupsionit dhe këtë mesazh ia drejtoi politikanëve, por edhe figurave të tjera që mbajnë përgjegjësi ekonomike dhe sociale në vend.

“Vendi ynë nuk duhet të presë që e drejta apo e ardhmja do të na vijë nga jashtë. A thua vallë se të huajt e kanë për detyrë ta duan më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ashtu si Krishti nuk mbeti në varr, por hapi një rrugë të re përtej vdekjes, edhe për ne nuk ka situata pa shpresë. Secili prej nesh mund t’i drejtohet vetvetes me fjalët e Nën Terezës së Madhe: bëhu ti ndryshimi që pret dhe do ta shohësh në Shqipëri. Prandaj sot është thelbësore mos të dorëzohemi përballë së keqes, por të mbjellim shpresë konkrete. ”, u shpreh Arqipeshkvi Arjan Dodaj.

Dodaj bëri edhe një apel për politikën dhe institucionet, për më shumë ndershmëri dhe përgjegjësi në drejtimin e vendit.

“Shqipëria ka nevojë për burra dhe gra të ndershëm që e duan këtë tokë dhe popullin e saj jo me fjalë, por me jetë të jetuara këtu, ka nevojë për ndërgjegje reaguese që nuk pranojnë korrupsionin, padrejtësinë dhe menjanimin si diçka normale. Është ky një urim për të gjithë dhe akoma më shumë është për ata që mbajnë përgjegjësi politike, ekonomike dhe shoqërore që të shohin me largpamësi dhe përgjegjësi të ardhmen e vendit”, theksoi ai.

Ndërkohë, këtë mbrëmje besimtarët katolikë marrin pjesë në meshën e vigjiljes në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, e cila nis në orën 21:45 dhe zgjat deri në orët e para të mëngjesit, duke kulmuar me shpalljen “Krishti u ringjall”.

Që prej mëngjesit, besimtarët i janë drejtuar kishave për bekimin e ushqimeve, një traditë e hershme e Pashkës, që simbolizon bekimin e familjes përmes tryezës.

Përgatitjet e festes i kanë nisur prej ditësh dhe me gëzim presin shpalljen e lajmit Krishti u ringjall. Teksa flasin për simbolikën e festës së Pashkës besimtarët e krishterë, adresojnë lutjet e tyre për shëndet, paqe e begati në familje.

Bekimi i ushqimeve është një traditë e hershme për këtë feste pasi kërkohet bekimi i gjithë familjes, përmes ushqimit. Pashkët, kremtohen tek besimtarët e katolik si ringjallja e Krishtit, ku përgatitja nis me 7 javëshin e Kreshmëve ose agjërimit.

mos prisni nga të huajt

Lini një Përgjigje