TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Mars 2026, 15:16

Gara për Drejtorin e Policisë së Shtetit, caktohet datat për intervistat e kandidatëve; si vazhdon procedura

Shkruar nga Pamfleti
Gara për Drejtorin e Policisë së Shtetit, caktohet datat për
Policia e Shtetit

Ministria e Brendshme ka përcaktuar datën se kur do të intervistohen kandidatët për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Sipas një njoftimi zyrtar, Komisioni i Posaçëm do të intervistojë kandidatët më 24 mars, ora 09:30, ndërsa në garë janë 14 emra.

Pavarësisht se për të drejtuar Policinë e Shtetit kishin shprehur 16 kandidatë, dy prej tyre, që nuk ishin pjesë e strukturave të kësaj organizate u skualifikuan pas verifikimit paraprak. Mësohet se dy kandidatet nuk plotësonin kriteret e përcaktuara për garën.

Ndërkohë mësohet se Komisioni i Posaçëm përbëhet nga tre anëtarë: zëvendësministri i Brendshëm në rolin e kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë dhe drejtuesi i Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Në garën për kreun e Policisë së Shtetit janë Saimir Boshnjaku, Tonin Vocaj, Skënder Hita, Elidon Çela, Afrim Tafa, Rebani Jaupi, Lorenc Panganika, Gentian Berberi, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Neritan Nallbati dhe Pëllumb Seferi.

Në përfundim të intervistimit, Komisioni do të ketë një afat prej 48 orësh për të renditur emrat bazuar në pikët që do të vlerësohen, ndërsa procedura përmbyllet me dërgimin e emrave që renditen të parët te ministri i Brendshëm.

Mendohet se vendimi për kreun e Policisë së Shtetit do të zyrtarizohet brenda muajit mars ose në ditët e para të muajit prill, duke përmbyllur kështu një procedurë që nisi pas shkarkimit nga detyra të Ilir Prodës. Ky i fundit u largua nga pozicioni pa përmbyllur mandatin 3-vjeçar, ndërsa si shkak u përdorën molotovët që u hodhën në drejtim të ish-vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, gjatë një proteste të opozitës.

Vendimi për shkarkimin e Prodës u njoftua nga Kryeministri Edi Rama, edhe pse Pamfleti kishte njoftuar më herët se një vendim i tillë ishte i pritshëm.

policia e shtetit procedura intervistat

Lini një Përgjigje