Gazetari Blendi Fevziu tha se Sali Berisha nuk duhet të kandidojë sërish për kryetar të Partisë Demokratike në zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen pas dy muajsh, por të qëndrojë në rolin e kryetarit të nderit.
I pyetur nëse Berisha përbën pengesë për PD-në dhe opozitën, Fevziu theksoi se përgjegjësia politike i takon liderit historik të demokratëve, por një largim i menjëhershëm, sipas tij, nuk do të sillte zgjidhje automatike.
“Përgjegjësia i shkon Berishës. PD ka një zinxhir gabimesh. Grupi parlamentar i PD-së i dalë nga zgjedhjet e 11 majit nuk përfaqëson shoqërinë shqiptare. Një largim i menjëhershëm i Berishës nuk zgjidh asgjë. Duhet të qëndrojë kryetar nderi i partisë. Berisha duhet të zgjedhë një kandidat për kryeministër”, u shpreh Fevziu.
Berisha renditi disa hapa që, sipas tij, opozita duhet të ndërmarrë për t’u bërë konkurrues.
“Opozita duhet të bëjë përpjekje për të ristrukturuar marrëdhëniet me ndërkombëtarët. E dyta opozita duhet të konsolidojë marrëdhëniet me drejtësinë dhe SPAK. I mirë apo i keq duhet t’i qëndrosh kësaj ideje. E treta duhet të ketë hapa konkretë. E katërta sa është bindëse opozita në publik”, tha ai për "TPZ".
Fevziu u shpreh gjithashtu skeptik për nismën e Ermal Hasimes për bashkimin e opozitës, ndonëse e cilësoi atë si një zhvillim pozitiv.
“Nismën e Hasimes e shoh si pozitive. Hasimja thotë se kështu si është opozita nuk i bën gjë Ramës. Ajo që kuptova unë që nuk janë të përgatitur, se e shohin si gjë personale”, tha ai.
Në analizën e tij, gazetari solli si shembull politikën italiane, duke përmendur rastin kur e majta zgjodhi Romano Prodin për t’u përballur me Silvio Berlusconin, në vend që të përqendrohej vetëm te figurat tradicionale politike.
Lini një Përgjigje