
Zërat për një përkeqësim të rëndë të shëndetit të Liderit Suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit, duke ushqyer spekulime për një paqëndrueshmëri të mundshme në krye të Republikës Islamike.
Por eksperti i sigurisë, Ilir Kulla tha se edhe nëse këto lajme do të ishin të vërteta, struktura e pushtetit në Iran është ndërtuar në mënyrë të tillë që të përballojë goditjet më të forta, përfshirë këtu edhe largimin e figurës më të lartë.
Duke folur në emisionin “Të Pashoq”, në kanalin në Youtube të “Pamfleti”-t, Kulla shtoi se arkitektura e regjimit iranian, e farkëtuar që në vitet '80 gjatë luftës së përgjakshme dhe të gjatë me Irakun, është projektuar për të qenë elastike dhe e decentralizuar. Ai theksoi se pushteti real është i shpërndarë në një rrjet kompleks institucionesh.
Pjesë nga intervista:
-Është raportuar shumë këto kohë që lideri i ri Suprem i Iranit, Metaba Kamenei, është i plagosur rëndë, është në kushte izolimi, i pamundur për të udhëhequr vendin, për të marrë vendime e të tjera e të tjera. Mund të jenë të vërteta këto lajme?
Ilir Kulla: Edhe nëse janë të vërteta, këto nuk zgjidhin dhe nuk ndryshojnë asgjë. Pse? Sepse Irani është ndërtuar në formën e tillë. Jo tani, prej kohës së, prej viteve '80, kur filloi lufta... Kur filloi lufta Irak-Iran. E cila është një luftë që njerëzit e kanë harruar, është një luftë që ka zgjatur gati 10 vjet. Edhe atëherë, Saddam Huseini tha, unë javës që vjen do shkoj të ha akullore, tha, në mes, në mes të Teheranit. Dhe lufta zgjati 10 vjet.
Dhe para se të fillonte luftën, Saddam Huseini kishte 350 miliardë dollarë në bankat e Bagdadit, që erdhën të gjitha si rrjedhojë e e administrimit të të naftës dhe të gazit nga qeveria e Irakut, e cila shtetëzoi gjithë burimet e naftës e të tjera e të tjera. Dhe kur mbaroi lufta Irak-Iran, Iraku ishte zhytur në borxhe dhe u detyrua të shkojë të pushtojë Kuvajtin, gjë që pastaj çoi në fazën e dytë të një lufte të Irakut, deri në rënien përfundimtare të Saddam Huseinit në 2003-shin, por që është një histori shumë e gjatë. Tani, në këto kushte, duhet të kuptojmë që gjërat janë rrethanore. Lideri, udhëheqësi shpirtëror, është si Papa, nuk merret me punë ekzekutive. Punët ekzekutive, atje janë ndarë në 30 e sa provinca, ku kudo ka një organizim të Gardës, një organizim të ushtrisë, një organizim të besimit fetar me Ajatollahët, sistemi politik, partitë opozitare, partitë e qeverisë, presidenti, parlamenti, ushtria, shërbimet sekrete. S'ka një shërbim sekret Irani, ka shumë. Pra, ai është Papa, që flet, jep, jep fetva, por në efektin e administrimit të përditshëm nuk ka, sepse pikërisht ata e kanë ndërtuar në format të tillë. Shiko, nëse ti sheh përshkrimin që i bën Izraeli regjimit në Iran, është një oktapod me një kokë dhe shumë këmbë. Oktapodin po s'e coptove të gjithin, nuk mbaron dot kurrë punë, se pre këmbë sa të duash, oktapodi vazhdon.
- Por që ai mund të ketë shkuar për kurim sikurse është thënë jo pak herë në Rusi, është e mundur kjo?
Ilir Kulla: Siç ka shkuar, vjen. Janë dy vende fqinj.
Lini një Përgjigje