TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Mars 2025, 20:08

Krimet zgjedhore, si do të denoncohen online në SPAK; çfarë do të hetohet dhe zyrtarët që do jenë në vëzhgim

Shkruar nga Pamfleti

Krimet zgjedhore, si do të denoncohen online në SPAK;

Në një seksion të veçantë të denoncimeve përfshihen grupet e strukturuara kriminale, organizatat kriminale dhe ato terroriste, si dhe bandat e armatosura...

Zgjedhjet e 11 majit do të jenë në ‘lupën’ e SPAK. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për ditën e zgjedhjeve, por edhe për atë parazgjedhore dhe paszgjedhore.

E ndërsa SPAK ka ngritur grupet e punës dhe po koordinon me institucione të tjera, përfshi këtu Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në, ndërsa do të shfrytëzohet bashkëpunimi me çdo agjensi ligjzbatuese, gjithashtu do të trajtohen denoncimet që do të bëhën direkt në SPAK, përmes një formati online.

Ky do të jetë një nga mënyrat që SPAK do të përdorë për të mbledhur informacionet, përtej denoncimeve publike që mund të bëhen në media apo rrjetet sociale, apo informacioneve që mund të mblidhen në rrugë operative.

SPAK ka aktivizuar formatin e denoncimit online, ku denoncuesi pasi jep të dhënat e tij, bën denoncimin duke paraqitur fakte, përfshi video ose foto, por edhe emrat e personave që denoncon apo funksionet e tyre.

Referuar formatit të SPAK bien në sy fakti se një pjesë e madhe e veprimeve të Prokurorisë Speciale dhe agjentëve të BKH do të jetë në ditën e zgjedhjeve, por edhe gjatë fushatës elektorale.

Një nga problemet më të mëdha në zgjedhjet e fundit ishte përdorimi i administratës në zgjedhje, gjë që është evidentuar edhe nga organizmat ndërkombëtare që vëzhgojnë zgjedhjet dhe analizojnë standardet zgjedhore.

Ndoshta për këtë arsye, SPAK në veprat penale që i lidh me krimet zgjedhore përmend 4 momente që kanë lidhje me përdorimin e funksioneve publike, shpërdorimin e detyrës në lidhje me aktet ligjore për zgjedhjet, shpërdorimin e autoritetit policor dhe atë ushtarak.

Krimet zgjedhore, si do të denoncohen online në SPAK;

Në ‘objektivin’ e SPAK do të jenë të gjithë zyrtarët e shtetit, por jo vetëm kaq. Kështu në formatin e SPAK përfshihen të gjithë zyrtarët nga Presidenti deri te zv.ministrat, anëtarët e KLP dhe KLGJ, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, drejtuesit e institucioneve qendrore ose të varësisë të krijuara me ligj apo me Kushtetutë. Gjithashtu në lupë do të jenë Kryebashkiakët dhe çdo institucion në varësi të pushtetit vendor, që mund të përdoret gjatë fushatës.

Në një seksion të veçantë të denoncimeve përfshihen grupet e strukturuara kriminale, organizatat kriminale dhe ato terroriste, si dhe bandat e armatosura.

Në formatin e SPAK, denoncuesi që mund të jenë qytetarët, organizatat, partitë politike, por edhe bizneset, përtej të dhënave që duhen plotësuar, duhet të bëjë edhe një përmbledhje të denoncimit të tij, pra të asaj që mund të konsiderohet si krim zgjedhor.

Dhe këtu ndoshta SPAK do të aktivizojë ‘bilbilfryrësit’, një hallkë që nëse funksionon siç duhet, të paktën mund të mbajë nën kontroll përdorimin e administratës në zgjedhje.  Referuar strategjisë së SPAK për krimet zgjedhore, janë ngritur ekipe hetimor të specializuara, që do të jenë përgjegjëse për monitorimin e aktiviteteve që mund të kërcënojnë integritetin e zgjedhjeve.

Krimet zgjedhore, si do të denoncohen online në SPAK;

Prokurorë dhe oficerë të specializuar do të jenë pjesë e ekipeve që do të punojnë ngushtë me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe do të angazhohen në hetime të avancuara për të goditur çdo formë të korrupsionit dhe manipulimit të procesit zgjedhor.

Një tjetër aspekt kyç është monitorimi i situatave të dyshimta në kohë reale. Dhe gjithashtu në strategjinë e SPAK do të përfshihen edhe përgjimet, veçanërisht ato ambientale, përmes të cilave do të synohet identifikimi i individëve dhe grupet kriminale që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor, si dhe për të mbrojtur dëshmitarët dhe denoncuesit.

Veprat penale që ndjek SPAK për 11 majin

Pengimi i subjekteve zgjedhore

Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve

Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor

Shkelja e fshehtësisë së votës

Votimi më shumë se 1 herë ose pa u identifikuar

Korrupsioni aktiv në zgjedhje

Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore

Korrupsioni pasiv në zgjedhje

Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrjes në zgjedhje

Pengimi i Zgjedhësve

Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisionet zgjedhore

Shkelja e të drejtës së zgjedhjeve

Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit

Shpërdorimi i autoritetit ushtarak

Shpërdorimi i autoritetit policor

Shpërdorimi i detyrës në lidhje me aktet ligjore për zgjedhjet /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje