
Ka përfunduar seanca e sotme për ish-ministrin, Fatmir Mediu, në lidhje me “Gërdecin”. Gjatë seancës u morën në pyetje disa dëshmitarë, si ish-ushtaraku, Zabit Cuku, Mirela Dvorani, bashkëshorti i së cilës po ashtu humbi jetën gjatë shpërthimit dhe Veiz Muça, ish-përgjegjës.
Ndërkohë mësohet se katër nga dëshmitarët e tjerë të thirrur nuk kanë mundur të dëshmojnë për shkak të përfundimit të orarit zyrtar.
Sipas informacioneve seanca e radhës është vendosur për tu mbajtur 9 nëntor dhe do të pyeten 10 dëshmitarë.
Kujtojmë se gjykata pranoi kërkesën e SPAK për të thirrur si dëshmitar 72 persona, mes tyre Aldo Bumçin dhe Shkëlzen Berishën.
Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.
Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.
Më parë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit si palë në procesin kundër ish ministrit Fatmir Mediu. 26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një baze ushtarake më 15 mars të vitit 2008.
SPAK ka dërguar për gjykim ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.
Lini një Përgjigje