
Gazetari Nikollë Lesi ka folur për dy nga ngjarjet e rëndësishme të kohës së fundit, kërkesa e SPAK për të arrestuar ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetajn dhe për shkarkimin e Bledi Çuçit nga posti i ministrit të Brendshëm.
I ftuar në Euronews Albania, Lesi tha se Ministria e Brendshme prej kohësh ka qenë një ministri problematike pasi ajo ka gjithçka në dorë dhe ministrat e kanë të vështirë të mos përfshihen.
“Të heqësh Bledi Çuçin dhe të vësh Taulant Ballën ministër të Brendshëm nuk shkon”, tha Nikollë Lesi. Ndërsa shtoi se po të kishte qenë vetë deputet i mazhorancës nuk do e kishte votuar emërimin e tij.
“Flitej se kishte kohë që e ëndërronte këtë post, por fakti që shkon Ministër i Brendshëm në një ministri që është shumë problematike në luftën ndaj krimit dhe akuzat janë pak të rënda ndaj Ballës. Të heqësh Bledi Çuçi dhe të vësh Taulant Ballën për mua nuk shkon. Po të isha deputet në parlament i mazhorancës, nuk do e votoja. Akuzat janë akuza, por unë një ministër të brendshëm me akuza të tilla nuk do e pranoja”, tha Nikollë Lesi.
Lini një Përgjigje