
Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve paraprake, ka evidentuar se një pjesë e bizneseve që operojnë në sektorin postar shërbejnë për qarkullimin e mallrave të pashoqëruara me faturë tatimore. Kjo praktikë lidhet drejtpërdrejt me tregtinë online, ku një volum i madh transaksionesh zhvillohet jashtë skemave formale.
“Aktualisht mendohet se ka 20-25 mijë pako çdo ditë me të ardhura 300-350 milionë euro në vit. Për fatin e keq ky treg nuk po rritet për shkak të gangrenizimit nga informaliteti”, u shpreh Rezart Lahi, sipërmarrës, ekspert i tregut të shitjeve “online”.
Sipas vlerësimeve të tregut, çdo ditë qarkullojnë dhjetëra mijëra pako, me të ardhura vjetore që arrijnë në qindra milionë euro. Megjithatë, zgjerimi i këtij sektori nuk po ndodh në mënyrë të qëndrueshme, për shkak të përhapjes së informalitetit, i cili pengon konkurrencën dhe zhvillimin normal të tregut.
Tregtia elektronike konsiderohet një nga sektorët me potencialin më të lartë në vend, për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit në të kaluarën dhe orientimit tradicional të konsumatorëve drejt dyqaneve fizike. Rritja e blerjeve online, veçanërisht pas pandemisë, u shoqërua kryesisht me shtimin e faqeve të shitjes në rrjetet sociale, duke rritur numrin e subjekteve të paregjistruara.
“Duhet ndaluar “cash on delivery”. Pra çdo blerje online duhet bërë në faqet Web dhe jo në rrjetet sociale. Gjithashtu pagesa duhet bërë me anë të kartave bankare, me qëllim që të ketë një lloj gjurmimi”, tha Lahi.
Një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve blejnë produkte nga platforma që nuk kanë status ligjor, adresë apo identitet të verifikueshëm. Kjo situatë krijon rrezik për blerësit dhe dëmton bizneset që operojnë në përputhje me ligjin.
“Rritja e tregut gjatë dhe pas periudhës së pandemisë ndodhi kryesisht si pasojë e shtimit të faqeve të shitjeve online, por në rrjetet sociale. Rrjedhimisht u rrit informaliteti dhe subjektet e fomralizuara u demoralizuan dhe kjo e dëmtoi procesin e rritjes së e-commerce”, vijoi sipërmarrësi Lahi për “A2CNN”
Ekspertët e tregut vlerësojnë se pagesat në dorëzim dhe shitjet përmes rrjeteve sociale e bëjnë të vështirë gjurmimin fiskal të transaksioneve. Mungesa e kontrollit dhe vështirësia për të identifikuar shkelësit kanë bërë që ky sektor të mbetet jashtë fokusit real të aksioneve kundër evazionit, pavarësisht kontrolleve të shtuara gjatë vitit të fundit.
Lini një Përgjigje