TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Shkurt 2026, 14:59

Moti i keq/ Shembet rruga në fshatin Plan i Bardhë dhe në afërsi të tunelit të Murrizit, rrezikohet bllokimi i qarkullimit

Shkruar nga Pamfleti
Moti i keq/ Shembet rruga në fshatin Plan i Bardhë dhe në
Shembet rruga në fshatin Plan i Bardhë dhe në afërsi të tunelit të Murrizit

Problematikat në Rrugën e Arbrit vijojnë të shtohen. Pas çarjes së konstatuar pak ditë më parë në tunelin e Murrizit, janë evidentuar dëmtime të reja që rrezikojnë seriozisht sigurinë e qarkullimit.

Në fshatin Plan i Bardhë, në Bashkinë Klos, një segment i rrugës rrezikon të shembet për shkak të çarjes së krijuar në pjesën e poshtme të trupit rrugor. Nga pamjet e publikuara, shihet se dëmtimi shtrihet në një gjatësi prej rreth 100 metrash linearë, ndërsa destabilizimi i bazamentit po ndikon drejtpërdrejt edhe në shtresën e asfaltit, ku kanë nisur të shfaqen shenjat e para të dëmtimit.

Shembja e tokës dhe e murit mbrojtës ka vënë në rrezik të gjithë trupin e rrugës, ndërkohë që, pavarësisht situatës, në zonë nuk është vendosur asnjë sinjalistikë paralajmëruese për drejtuesit e mjeteve. Sipas specialistëve, në disa segmente problematike të Rrugës së Arbrit ka qenë e domosdoshme ndërtimi i pilotëve, për shkak të paqëndrueshmërisë së formacionit të tokës.

Një tjetër shembje është shënuar në afërsi të tunelit të Murrizit, në fshatin Maricë të Tiranës, ku skarpata e rrugës është çarë dhe shembur, duke krijuar rrezik për bllokimin e qarkullimit të automjeteve.

Probleme janë konstatuar gjithashtu edhe me deformimin e asfaltit, kryesisht në segmentin që shtrihet nga tunelet e fshatit Shkallë e Xibrit deri te tuneli i Murrizit, duke ngritur shqetësime për sigurinë e këtij aksi rrugor.

Lini një Përgjigje