TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Janar 2026, 18:26

Dosja 5D, Apeli i Posaçëm liron nga qelia Taulant Tushen

Shkruar nga Pamfleti

Dosja 5D, Apeli i Posaçëm liron nga qelia Taulant Tushen

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Taulant Tushen, i arrestuar në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Apeli i Posaçëm ka vendosur sot lirimin e Tushes nga qelia, duke ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” me “arrest në shtëpi”.

Taulant Tushe është një nga emrat e përfshirë në dosjen e inceneratorit të Tiranës, i akuzuar për "shpërdorim detyre" dhe "korrupsion" në lidhje me procedurat e ndjekura për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorëve.

Hetimet për këtë dosje janë zhvilluar nga SPAK dhe kanë çuar në arrestime dhe masa sigurimi për disa ish-zyrtarë dhe persona të lidhur me kontratat koncesionare.

Përveç kësaj dosjeje, Tushe rezulton i akuzuar edhe në çështjen e njohur si “5D”, e cila lidhet me dyshime për afera korruptive dhe shkelje të ligjit në tendera dhe projekte publike të zhvilluara nga institucione vendore. Edhe kjo çështje është në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe vijon të jetë në fazë hetimi.

Taulant Tusha ka qenë pjesë e PS-së që nga dita e parë e pushtetit. Fillimisht Tusha mbante postin e Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë për Çështje Sociale dhe Rinisë. Më pas, Tusha u emërua Drejtor i Punëve Publike në Bashki. Pas kësaj ai ka drejtuar dhe Bordin Drejtues të Ujësjellësit të Tiranës.

Ai akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, e kryer dy herë dhe në bashkëpunim. Për periudhën 2016-2020, SPAK ka zbuluar se “5D Konstruksion” sh.p.k ka marrë 12 tendera publikë, duke shkelur rregullat e prokurimit dhe duke siguruar përfitime prej rreth 192.7 milionë lekësh.

Po ashtu kujtojmë se po kjo kompani, ka marrë pjesë në tendera të organizuar nga UKT, Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”, duke u favorizuar nga të pandehurit që ushtronin funksione publike. 

Lini një Përgjigje