
Një ngjarje e rëndë është denoncuar nga avokati Arben Llangozi, i cili akuzon Policinë e Sarandës për mosveprim pas dhunimit të një avokateje në Ksamil.
Sipas tij, avokatja Albana Husi është goditur gjatë ushtrimit të detyrës, në cilësinë e palës kreditore, ndërsa ndodhej në terren në Ksamil. Ngjarja, sipas denoncimit, ka ndodhur në sy të efektivëve të policisë, por pa asnjë reagim nga ana e tyre.
“Goditet avokatja Albana Husi në mes të detyrës, në sy të Policisë dhe askush nuk ndalohet, askush nuk shoqërohet, askush nuk mban përgjegjësi”, shprehet Llangozi.
Ai shton se aktualisht avokatja ndodhet në spitalin e Sarandës, ndërsa sipas tij, rasti është mbajtur i fshehtë dhe nuk është bërë publik nga autoritetet.
Avokati e cilëson situatën si një dështim të rëndë institucional dhe një sinjal alarmi për sigurinë e profesionistëve të ligjit.
“Kur uniforma që duhet të mbrojë ligjin rri spektatore përballë krimit, ajo pushon së qeni forcë rendi dhe kthehet në mburojë të dhunuesve”, thekson ai.
Sipas Llangozit, fakti që një avokate dhunohet për shkak të detyrës dhe nuk ka asnjë reagim nga policia, përbën një precedent të rrezikshëm.
“Ky nuk është thjesht rast dhune, por një mesazh i qartë se ligji nuk të mbron, nëse ata që duhet ta zbatojnë zgjedhin të heshtin”, shprehet ai.
Lini një Përgjigje