Gjyqtarja caktoi Artan Simonin si avokat të paguar nga shteti për të përfaqësuar Berishën, por edhe ai u zëvendësua...
Ka dështuar sërish seanca gjyqësore në ngarkim të Sali Berishës. Prej dy ditësh, Gjykata e Posaçme nuk po vendos dot për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit, i cili akuzohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Seanca për njohjen me masën ishte planifikuar për dje, por u shty për sot pas kërkesës së avokatëve të Berishës. Por edhe sot pati zvarritje dhe në fund procesi dështoi. Fillimisht avokatët e Berishës parashtruan disa kërkesa, mes të cilave kërkohej një interpretim nga Kushtetuesja nëse i duhej hequr imuniteti Berishës.
Gjyqtarja, Irena Gjoka e refuzoi kërkesën dhe avokatët braktisën seancën. Më pas gjyqtarja caktoi Artan Simonin si avokat të caktuar nga shteti dhe seanca u shty për në orën 19:00, duke i dhënë kohë avokatit.
Por ndaj tij pati akuza se është i njëanshëm. Ai ka bërë disa statuse në rrjetet sociale kundër Berishës dhe mësohet se SPAK0u ka kërkuar nga gjykata që të mos jetë ai avokat, por të caktohet një tjetër. Gjyqtarja e ka pranuar kërkesën dhe ka kërkuar nga Dhoma e Avokatisë një tjetër avokat. Në mënyrë që avokati i ri të njihet me dosjen, seanca u shty për nesër në orën 10:00.
“Me kërkesë të Prokurorisë, me qëllim garantimin e mbrojtjes efektive, Gjykata zëvendësoi avokatin Artan Simoni me një avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht dhe i la kohë të njihet me aktet. Seanca do të zhvillohet në datën 26.10.2023 ora 10 e paradites”, njoftoi gjykata.
Fillimisht Berisha u përfaqësua në seancë me avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjezi. Për më shumë se 1 orë e gjysmë ata kanë debatuar me gjyqtaren Irena Gjoka, duke pretenduar se masa "detyrim paraqitje" ndaj Berishës është antikushtetuese, pasi ai ka imunitet deputeti.
Po ashtu mësohet se avokatët e Berishës kanë bërë disa kërkesa në gjykatë, por gjyqtarja Irena Gjoka i ka refuzuar. Një prej kërkesave kryesore të tyre ishte që të kërkohet mendim në Gjykatën Kushtetuese nëse duhet apo jo autorizm nga Kuvendi për masën e sigurisë ndaj Berishës. Por gjykata nuk ka pranuar dhe ata në shenjë revolte kanë braktisur seancën.
“Kemi paraqitur një kërkesë dje për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe sot kemi bërë kërkesë të na japë materialin audio.
Kemi kërkuar që Gjykata të na japë një kopje të akteve. Gjykata pretendon se e ka vendosur dje. Pa u njohur me aktet ka vendosur. Ne kemi kërkuar nga gjykata që t’i këkrojë mendim Kushtetueses për të vendosur për ligjshmërinë e masës së sigurisë. Këtë kërkesë e rrëzoi. Në këtë mënyrë ne u larguan.
Gjykata po përdor instrumenta dhe justifikime për të mos na njohur me aktet. Pyetje mos më bëj mua mund të pyesësh në Gjykatë (i përgjigjet avokati pyetjes së gazetares).
Ju s’mund të më pyesni mua se çfarë mund të bëjë gjykata. Kjo gjykatë shkelëse e ligjit, SPAK dhe GJKKO duan të bëjnë ç’të duan, le të vijojnë me avokat kryesisht”, tha Genc Gjokutaj.
Lini një Përgjigje