Prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai janë të bindur se nuk kanë shkelur Kushtetutën me masën e sigurisë ndaj Berishës.
Ishte avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj që ka dhënë detaje nga seanca e sot në ngarkim të ish-kryeministrit. Ai ishte sot në seancën lidhur me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj Berishës, por u largua pas përplasjeve me gjyqtaren Irena Gjoka.
Në një emision ai ka treguar dhe qëndrimin për herë të parë prokurorëve lidhur me debatin nëse duhej pyetur Kuvendi apo jo për Berishën. Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai janë të prerë se nuk ka nevojë të pyetet Kuvendi. Në seancë ka pasur mbi 1 orë debat mbi këtë çështje dhe prokurorët janë të bindur se nuk është shkelur neni 73 i Kushtetutës.
"Sot në orën 14:30 gjykata kishte caktuar seancën e radhës dhe me planin e saj, që pavarësisht se kemi depozituar kërkesa me njohjen me aktet e dosjes, do të vijonte me atë procedurën e vet. Që në hyrje ne kishim kërkesa për gjykatën, njëra prej tyre ishte për te mbyllur depozitimin e kërkesës me shkrim për të na dhënë procesverbalin e seancës së djeshme gjyqësore dhe materiali audio i seancës, që plotësonte përfundimisht kërkesën për përjashtimin e gjyqtares.
Përveç kallëzimit penal që z. Sali Berisha ka bërë, kjo plotësonte kërkesën. Nga ana e gjykatës kjo kërkesë nuk u rrëzua.
Paraqitëm dhe një kërkesë që për të mbyllur përfundimisht diskutimin se masa ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’, masat shtrënguese janë apo jo kufizim lirie, sepse jashtë sallës së gjyqit ka filluar një koment shumë i madh, por që këtij qëndrimi i kanë qëndruar dhe prokurorët, të cilët sot në seancë bënë një apologji të qëndrimit të tyre, që nuk e konsideronin këtë pjesë si heqje apo kufizim lirie”, tregoi ai.
Më tej ai tregoi se ata i kërkuan që t’i përcillte Kushtetueses për interpretim nenin 73 të Kushtetutës. Sipas tij, Neni 27 i Kushtetutës tonë, heqjen e lirisë dhe kufizimi i lirisë, i parashikon për të njëjtën gjë, deri në rastet e burgimit me formën e prerë të gjykatës, që është neni 27/2 e Kushtetutës. Por gjyqtarja e ka refuzuar duke u pajtuar me prokurorët.
I gjithë debati ka të bëjë me nenin 73 të Kushtetutës i cili shprehet: ”Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”. Por si duket dy prokurorët si “detyrim paraqitje” dhe bllokimin e pasaportës nuk e quajnë heqje lirie.
Lini një Përgjigje