TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Janar 2025, 20:36

Ceremonia e inaugurimit të presidentit të SHBA, Rama dhe liderët e tjerë të Ballkanit nuk përfillen nga Trump!

Shkruar nga Pamfleti

Ceremonia e inaugurimit të presidentit të SHBA, Rama dhe liderët

Kush është kryeministri ballkanik që bashkë me Melonin do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Trump?

Të hënën më 20 janar, do të mbahet ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump. Në këtë ceremoni do të pritet të jenë prezent disa lider nga mbarë bota, ndryshe nga vitet e tjera.

Trump theu precedentin dhe ftoi disa liderë të huaj në ceremoni. Historikisht, ata nuk kanë marrë pjesë në inaugurimin për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe në vend të tyre kanë dërguar diplomatë.

Në ftesat e dërguara nga vetë presidenti i zgjedhur Trump, vihet re një përzgjedhje e liderëve të cilët e kanë mbështetur edhe gjatë kohës që i bënte luftërat e shumta ligjore në SHBA.

Kush nga Europa mori ftesë nga Trump?

Sa i takon Europës, Trump ka ftuar vetëm “besnikët” e tij, si kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cila ka thënë se shpreson të marrë pjesë në inaugurim.

Euroskeptiku i djathtë Nigel Farage, i cili drejton partinë e Reformës në Mbretërinë e Bashkuar, do të jetë në ceremoni, ashtu si edhe politikani francez i ekstremit të djathtë Eric Zemmour.

Bashkëdrejtuesi i Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë Tino Chrupalla tha se ai do të marrë pjesë në inaugurim, pasi partia kërkon të nxjerrë në pah lidhjet e saj me administratën e ardhshme.

Pavarësisht raporteve që sugjeronin se kryeministri hungarez Viktor Orbán ishte ftuar, zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs mohoi pretendimet të mërkurën, duke deklaruar se as Orbán dhe asnjë zyrtar i qeverisë hungareze nuk mori një ftesë.

Kush lider europian pranoi se nuk do të merrte pjesë?

Ndërkohë në anën tjetër të medaljes kishte dhe nga ata që nuk morën ftesë dhe deklaruan se nuk do të shkonin në inaugurim. Fillimisht asnjë përfaqësues politik nga qeveria aktuale gjermane nuk pritet të mare pjesë. Në vend të kësaj, Gjermania do të përfaqësohet zyrtarisht nga ambasadori i saj në Uashington, Andreas Michaelis.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, gjithashtu nuk do të marrë pjesë në ceremoninë javës së ardhshme, ambasadori britanik do të përfaqësojë Mbretërinë e Bashkuar.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen nuk do të marrin pjesë.

Po në Ballkan?

Ende nuk dihet se cilët nga liderët e Ballkanit do të marrin pjesë në inaugurimin e Donald Trump, por deri më tani raportohet se vetëm një lider ballkanik ka marrë ftesë për të qenë pjesë e inaugurimit.

Bëhet fjalë për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski i cili do të jetë një nga liderët e rrallë evropianë që do të jetë në Uashington gjatë inaugurimit të Presidentit Trump, raportojnë mediat maqedonase.

Udhëheqësit botërorë nuk janë të ftuar në inaugurim, por Mickoski është ndër ata që kanë marrë ftesa private për eventin nga zyrtarë të lidhur me administratën e ardhshme.

Kryeministrat shqiptarë Edi Rama e Albin Kurti dhe presidentët e Serbisë dhe Malit të Zi, Aleksandër Vuçiç e Jakov Millatoviç duket se nuk janë në “optikën” e presidentit të ri të Amerikës. Deri më tani asnjë prej tyre nuk ka deklaruar se ka marrë ose  gjetur ftesa në rrugë private për të marrë pjesë në inagurim./Pamfleti

Lini një Përgjigje