Sipas Prokurorisë Speciale, vetë Gjykata Kushtetuese ka trajtuar më herët çështje të ngjashme, duke argumentuar se çdo institucion ushtron kompetencat e veta dhe se asnjë organ nuk ndërhyn në vendimmarrjen e tjetrit…
Përfaqësuesit e SPAK kanë mbrojtur qëndrimin e tyre, të lënë në fuqi edhe nga GJKKO, përsa i takon pezullimit të Belinda Ballukut nga postet qeveritare, pasi iu komunikuan akuzat lidhur me disa tendera që ishin nën hetim nga Prokuroria Speciale.
Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për tenderin me vlerë 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, por edhe për hetimin e 7 loteve të Unazës së Madhe.
Tre orë pasi Kushtetuesja nisi shqyrtimin e kërkesës së Kryeministrit, i cili kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së, përfaqësuesit e SPAK duke paraqitur argumentet e tyre në Gjykatë, thanë se nuk ka asnjë konflikt kompetencash. Sipas prokurorit, masat e sigurisë janë vendime individuale.
Në argumentet përpara Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të masës së pezullimit ndaj Ballukut, prokurori i SPAK, Dritan Prençi, tha se hetimet kanë zbuluar prova për vepra të tjera penale.
Sipas tij, ushtrimi i detyrës do të cënonte disa sektorë të ekonomisë duke paraqitur rrezikshmëri të lartë.
“Hetimet e deritanishme kanë zbuluar prova se ajo mund të ketë kryer edhe vepra të tjera penale. Drejton një Ministri shumë të madhe, rrezikshmëria shoqërore është e lartë. Vijimi i ushtrimit të detyrës do të cënonte ekonominë e tregut dhe iniciativën e lirë. Dëmton pjesëmarrjen e drejtë të biznesit privat”, tha Prençi.
Sipas SPAK, pala kërkuese (Kryeministri) nuk legjitimohet si subjekt procedural për të aktivizuar kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, pasi nuk është subjekt i drejtpërdrejtë dhe nuk ka provuar ekzistencën e një interesi personal dhe aktual, të shoqëruar me pasoja të pariparueshme apo rrezik konkret nga kryerja e tij.
“Pretendimet e kërkuesit bazohen në interpretime të ligjit, pa u provuar ekzistenca e një raporti juridik të cenuar me pasoja konkrete”, thuhet në qëndrimin e SPAK.
Sipas prokurorisë, në këtë çështje nuk konstatohet konflikt kompetencash dhe mungon një çështje kushtetuese reale që të justifikojë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese.
SPAK thekson se nuk mund të pretendohet konflikt kompetencash mes GJKKO-së dhe Kryeministrit.
Sipas Prokurorisë Speciale, vetë Gjykata Kushtetuese ka trajtuar më herët çështje të ngjashme, duke argumentuar se çdo institucion ushtron kompetencat e veta dhe se asnjë organ nuk ndërhyn në vendimmarrjen e tjetrit. Për ekzistencën e një konflikti kompetencash duhet të plotësohen tre kritere ligjore, të cilat, sipas SPAK, nuk përmbushen në rastin konkret.
SPAK vlerëson se kërkesa e Kryeministrit nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve, pasi masat e sigurimit nuk krijojnë një konflikt të tillë. Po ashtu, theksohet se kërkuesi nuk mund të përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj një ministri, pasi ndjekja penale është kompetencë ekskluzive e SPAK dhe GJKKO-së dhe nuk mund të cenohet nga pushteti ekzekutiv.
SPAK nënvizon gjithashtu se sistemi ligjor parashikon rrugë të qarta ankimi, përfshirë Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë, duke garantuar të drejtat procedurale të palëve.
Sa i përket pretendimit se pezullimi i zv/kryeministres ka bllokuar funksionimin normal të Këshillit të Ministrave, SPAK e cilëson atë të pabazuar, duke sqaruar se masa e sigurimit është vendosur ndaj individit dhe nuk cënon funksionimin institucional të qeverisë.
Prokurori tha se Kryeministri nuk ka kompetencë pezullimin dhe si rrjedhojë, nuk bëhet fjalë për marrje të tyre.
"Nuk është cënuar parimi i ndarjes së pushtetit. Nuk ka ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv. Vendimi respekton parimin e ndarjes së Kushtetues. Pezullimi i bërë nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka qenë ndërhyrje në një pushtet tjetër dhe cënon parimin e ndarjes së pushtetit. Kushtetuesja mund të ndërhynte vetëm pasi të ishin konsumuar të gjitha hapat e tjerë në shkallët e tjera. Pezullimi ekspozon gjykatat nga ndërhyrja e jashtme dhe cenon funksionimin e tyre. Kjo krijon një precedent të rrezikshëm ky ekzekutivi mund të ndërhyjë në vendimet e organeve gjyqësore.
Veprimtaria e Këshillit të Ministrave është kolegjiale dhe në asnjë rast nuk cënohet nga mungesa e një ministri. Kjo qasje gjen mbështetje edhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi nuk është një funksion i Kryeministrit dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë marrje kompetence. Nuk mund të merret një kompetencë që nuk ekziston. Kërkesa e Kryeministrit bie ndesh me konceptimin kushtetues të masave të sigurimit që janë ekskluzivitet i shqyrtimit gjyqësor. Kërkuesi nuk është subjekti i masës së sigurimit", tha Prençi.
Prokurori tha se masa duhet të mbetet në fuqi dhe kërkesa e kryeministrit të rrëzohet.
“Vendimet e GJKKO janë marrë nga organi kompetent dhe nuk cënojnë pushtetet. Masa duhet të mbetet në fuqi si masë e domosdoshme dhe propocionale për garantimin e vijimit të procesit penal. Kërkesa e kryeministrit në tërësinë e saj nuk duhet të pranohet”, tha Prençi.
Qeveria kërkon nga Kushtetuesja shfuqizimin e vendimit të GJKKO për masën ndaj Ballukut.
Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë deri në shqyrtimin e ankimit, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje