Skandali tjetër është se kryetarja e komanduar e bashkisë vazhdon detyrën pa u votuar në Këshillin Bashkiak...
As SPAK-u nuk e ndal babëzinë e kryebashkiakut të Tropojës, Rexhë Byberi. Ndonëse ndodhet në “arrest shtëpie”, ai po përdor si mashë nënkryetaren e bashkisë për tu dhënë tenderë familjarëve dhe klientëve të tij.
Sipas informacioneve të ardhura në redaksinë e “Pamfletit”, nënkryetarja Zyra Islamaj, e cila u komandua në këtë detyrë nga Rexhë Byberi në datën që u arrestua, merr porosi nga kryetari në arrest duke e takuar çdo ditë me të në shkelje të ligjit. Ajo porositet për tenderët dhe kalimet në thesare apo largime punonjësish dhe transferime të tyre.
Një ndër tenderët e dyshimtë është ai me objekt: Rehabilitim i ujëmbledhësit Degë, NJA Fjerzë, REF-15140-08-01-2024, vlera fondit limit, 5 882 160 lekë pa TVSH. Në këtë tender morën pjesë 7 operatorë, gjashtë prej tyre u skualifikuan dhe tenderin e mori kompania KACDEDJA shpk me NIPT-it K51712017A edhe pse 4 operatorë kishin ofertat më të ulëta dhe plotësonin kushtet.
Njoftimi i fituesit është shpallur nga zv/kryetarja në shkelje të ligjit pasi që ka edhe detyrën e përgjegjëses së prokurimeve pranë kësaj bashkie. Kjo sipas Dokumenteve Standarde të tenderit, faqe 2 e tij, ku shprehimisht thuhet: “1.4 Emri dhe adresa e personit të kontaktit: Personi (at) përgjegjës për prokurimin: Zyra Islamaj; Tel/faks +355 213/22-373; E-mail [email protected]”.
Pra zonja në fjalë është edhe përgjegjëse prokurimi edhe titullare institucioni gjë e cila është e ndalur me ligjin e prokurimit publik.
Po ashtu Bashkia Tropojë ka bërë shpalljen e procedurave të prokurimit publik duke copëzuar fondet publike, kur ato duhej të bëheshin në një të tillë për arsye se ndodhen në një fshat, por janë ndarë nga zv/kryetarja e Bashkisë me porosi të kryetarit nën arrest.
E kemi fjalën për tenderët: Rehabilitim i ujëmbedhësit Visoce, B. Tropojë REF-21591-09-25-2024, vlera 1.570.984,54 lekë datat e tenderit 08.10.2024; Rehabilitim i ujëmbledhësit Radogosh REF-21812-09-26-2024,vlera në lekë 3.433.064, data e tenderit 9.10.2024.
Këto dy objekte ndodhen në të njëjtin fshat, fshati Berishë në dy lagje të afërta në Njësinë Administrative Bytyç. Por procedurat janë ndarë për shkak se tenderët janë të porositur për t’iu dhënë njerëzve të afërm të kryetarit Rexhë Byberi.
Skandali tjetër është se kryetarja e komanduar e bashkisë vazhdon detyrën pa u votuar në Këshillin Bashkiak Tropojë, ku në mbledhjen e këshillit të planifikuar më datë 3.10.2024, mbledhja nuk u zhvillua për arsye se anëtarët e këshillit kërkuan votëbesimin e zv/kryetarëve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje