N/kryetarja Zyra Islamaj, e komanduar kryetare në detyrë e Bashkisë së Tropojës, po firmos formalisht vendimet, urdhrat e tenderët, mbasi çdo pazar vazhdon ta bëjë ish-kryetari Rexhë Byberi nga arresti shtëpiak, ku mbanë dhe vulën e bashkisë...
Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, nuk i ndahet aferave korruptive dhe vjedhjes së fondeve publike nëpërmjet tenderëve, as pas masës “Arrest Shtëpie” ku e kanë izoluar SPAK dhe Gjykata e Posaçme.
Me vulën e bashkisë në shtëpi, ai vazhdon të firmosë pazaret, që ka bërë kur ishte i lirë e i paprekshëm; tenderë për të cilët drejtësia e izoloi në “Arrest shtëpie”.
Një nga këto pazare, është tenderi që Rexhë Byberi sajoji në datën 12 korrik 2024, për gjoja rikonstruksionin e kanalit vaditës “Ura Vigi i Vakës- Cerrnicë” në Tropojë, me fond limit 324 mijë Euro, të cilin ia ka dhënë kompanisë “Griald Sh.p.k.
Sipas konstatimit, ky tender është skeduar me “Flamur të kuq”, për shkak se është dhënë me garë fiktive, duke përdorur 3 firma të tjera “Nika Sh.p.k”, “HTSH Sh.p.k” e “BAJRAMI N” Sh.p.k”’, të cilat qëllimisht kanë paraqitur dokumente të mangëta e jo të sakta.

Skandali thellohet, me faktin që Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, përveçse ka firmosur shpalljen e fituesit më 30 gusht kur ishte më pushime, ka firmosur dhe kontratën e këtij tenderi në datën 11 shtator, 2 ditë pasi SPAK dhe Gjykata e Posaçme e futën në “Arrest shtëpie”.
Ai e firmosi kontratën në datën 11 shtator, me bindjen se sipas premtimit që i bëri “i gjati” i qeverisë, do t’i hiqej masa “Arrest shtëpie” në seancën gjyqësore të datës 12 shtator 2024.
Por Rexhë Byberi, u la në “Arrest shtëpie” me 3 akuza të rënda për shpërdorim detyre, korrupsion me tenderët, sajim tenderësh, mashtrim e falsifikim dokumentesh, në bashkëpunim me vartësit dhe privatët që u jepte milionat me akte e procedura false.
Nëpërmjet fijeve lidhëse, për të mos shtuar e rënduar veprat penale; në njoftimin te Buletini i Prokurimit Publik datë 16 shtator, u hoq shpallja e lidhjes e kontratës së Bashkisë Tropojë më kompaninë e tenderit të kanaleve, lidhur më 11 shtator, dy ditë pasi kryetari Rexhë Byberi u fut në “Arrest Shtëpie”.
Sipas denoncimit të dërguar në SPAK nga zyrtarë të Bashkisë Tropojë, tenderi për gjoja rikonstruksionin e kanalit vaditës “Ura Vigi i Vakës-Cerrnicë” me vlerë kontrate 324 mijë Euro, është fiktiv, ashtu si tenderi 50 mijë Euro për të njëjtin shërbim që iu dha të njëjtës kompani “Griald Sh.p.k”.

Sipas të dhënave të Thesarit të Shtetit, kompania “Griald Sh.p.k” ka marrë afro 1 milionë Euro nga Bashkia e Tropojës, si bashkim operatori me kompaninë “Vllaznimi Sh.p.k” të Bashkim Byberit, djalë xhaxhai i krye bashkiakut Rexhë Byberi.
Ka informacione, se N/kryetarja Zyra Islamaj, e komanduar kryetare në detyrë e Bashkisë së Tropojës, po firmosë formalisht vendimet, urdhrat e tenderët, mbasi çdo pazar vazhdon ta bëjë ish-kryetari Rexhë Byberi nga arresti, ku mban dhe vulën e bashkisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje