Kryeministri Edi Rama, tha që Valter Gora, daja i vrasësit të Pogradecit dhe ish-drejtori i Ujësjellësit e Drejtor Rajonal i Postës- Korçë, është arrestuar e dënuar dy herë burg për korrupsion por ai vazhdon merr tenderë nga qeveria, sepse është drejtues i PS-ës zonale dhe drejtues e financues i fushatave të saj...
Në Asamblenë e PS më 8 shtator 2024, kryeministri Edi Rama sulmoi mediat që zbuluan dhe publikuan skandalin e policisë, në fshehjen e provave të vrasjes së Egli Progës në Pogradec, nga patronazhisti gjobë vënës Denis Meçe, djali i motrës së drejtuesit të PS, ish-drejtor në Ujësjellës e Posta Shqiptare.
Ai tentoi të mohonte faktin, që strukturat e pushtetit të PS në Pogradec e në çdo zonë, janë mbushur me trafikantë, hajdutë, grabitës e gjobë vënës që terrorizojnë dhe vrasin duke u mbrojtur nga pushteti, por tentoi të pastronte dhe skandalin e policisë që fsheh provat e kriminelët.
Për vrasjen e Pogradecit, foli 15 minuta me siklet e tërsëllimë në Asamblenë e PS, duke e quajtur “gënjeshtër të mediave”, madje sulmoi dhe Prokurorinë e Korçës, kur e vërteta është e njohur nga të gjithë banorët e Pogradecit.
Babloku, tha: - U përhap lajmi, se autori i krimit ka mbrojtje politike, ngaqë një dajë i tij është eksponent i lartë i PS në Pogradec; por kjo është gënjeshtër, sepse vrasësi Denis Meçe nuk ka pasur e nuk ka asnjë lidhje me PS; ndërsa daja i tij Valter Gora, ka qenë dikur pjesë e jona, më pas i dënuar për abuzim me detyrën dhe nuk ka asnjë lidhje me PS e me fondet publike.
Populli thotë: - “Gënjeshtra më e rafinuar zgjat 40 ditë”; por gënjeshtra e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-ës, lidhur me vrasësin e Pogradecit, Denis Meçe dhe me dajën e tij Valter Gora, zgjati vetëm 5 ditë.
Këtë gënjeshtër, po e vërtetojmë me dokumentin zyrtar, që dëshmon se Valter Gora, daja i vrasësit të Pogradecit, jo vetëm ka lidhje të ngushta me PS si drejtues në strukturat e saj e i përfshirë në fushatë; por më 13 shtator, vetëm 5 ditë pas mohimit që Babloku bëri në Asamblenë e PS, ai ka marrë tender nga Bashkia e Pogradecit.
Ia ka dhënë krye bashkiaku i PS, Ilir Xhakolli, për blerje automjeti shërbimesh publike; konkretisht auto-vinç me kosh, me ofertë sa 99.99% të fondit limit, pa i kërkuar të dhënat dhe dokumentet e origjinës së këtij mjeti, kur dihet që Valter Gora është dënuar me burg për trafikim e shit-blerje makinash të vjedhura, te Ujësjellësi i Pogradecit kur ishte drejtor.
Në këtë tender, i dënuari drejtues i PS në Pogradec, Valter Gora, përdori firmën “TechnoLux”, të kosovarit Drilon Zajmi nga Gjakova, i cili i furnizon pikat e shitjes “Gora Oil”, me karburant, gaz e vajra kontrabandë nga Maqedonia; pika shitje që Valter Gora nuk i ka të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit e Tatime.

Kryeministri gënjeu, kur tha se vrasësi Denis Meçe nuk ka pasur e nuk ka lidhje me PS dhe me administratën e pushtetit, kur realisht ai ka qenë dhe është specialist në Ujësjellësin e Pogradecit, i punësuar nga daja i tij Valter Gora kur ishte drejtor.
Saktësojmë, se Valter Gora, gjatë pushtetit “Rama” ka marrë 10 milionë Euro tenderë pa garë nga Bashkia Pogradec e institucione të tjera lokale, siç vazhdon të marrë akoma nga krye bashkiaku Ilir Xhakolli, edhe pasi kryeministri gënjeu, se ai nuk ka asnjë lidhje me PS e fondet publike./Pamfleti
Lini një Përgjigje