Protesta kombëtare e organizuar nga Partia Demokratike në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat i kanë kushtuar hapësirë zhvillimeve dhe tensioneve të regjistruara në kryeqytet.
Mes tyre, rrjeti ndërkombëtar Al Jazeera ka raportuar mbi përplasjet mes demonstruesve dhe forcave të rendit, duke e vendosur ngjarjen në fokusin e audiencës globale.
Në raportimin e saj, media ndërkombëtare Al Jazeera ka vënë theksin te përdorimi i forcës nga ana e policisë shqiptare gjatë protestës. Në artikull theksohet se përplasjet mes forcave të rendit dhe demonstruesve u shoqëruan me tensione të forta, ndërsa ndërhyrja e policisë është paraqitur si element kyç i zhvillimeve të mbrëmjes, duke tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar mbi mënyrën e menaxhimit të protestës.
Al Jazeeras, raportoi se policia në Shqipëri përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve të mbledhur përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama në Tiranë, ndërsa ata kërkonin dorëheqjen e tij në lidhje me një skandal të pretenduar korrupsioni. Demonstruesit, nga ana e tyre, hodhën kokteje Molotov dhe mjete piroteknike në drejtim të efektivëve të policisë.
Media ndërkombëtare thekson se përplasjet nuk u kufizuan vetëm pranë godinës së Kryeministrisë, por tensione u shënuan edhe në afërsi të Parlamentit të Shqipërisë.
Mbi 1,300 efektivë policie u angazhuan për mbarëvajtjen e demonstratës, e cila u zhvillua vetëm dy javë pas një tjetër tubimi të tensionuar në Tiranë. Të dyja protestat janë thirrur nga kreu i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Al Jazeera dhe agjenci të tjera ndërkombëtare, përfshirë Associated Press, raportuan se Berisha ka deklaruar se protestat përfaqësojnë një “kryengritje paqësore”.
Nga ana tjetër, mediat kujtojnë se edhe vetë Berisha është përballur me akuza për korrupsion në të kaluarën.
Në tërësi, raportimet e mediave ndërkombëtare e paraqesin Shqipërinë në një klimë të tensionuar politike, mes akuzave të vazhdueshme për korrupsion ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Lini një Përgjigje