Procesi i shpronësimit të 74 familjeve në Durrës, në kuadër të zbatimit të projektit për bulevardin historik “Epidamn” (i njohur si projekti TID), ka nxitur reagime dhe protesta të vazhdueshme para Bashkisë së Durrësit. Banorët shprehen se nuk janë kundër zhvillimit të zonës historike, por kundërshtojnë vlerën monetare të parashikuar për dëmshpërblimin dhe mënyrën e trajtimit të tyre.
Një nga rastet më të përfolura është ai i të moshuarës Sofie Simaku, e cila gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë para bashkisë deklaroi se nuk do të largohet nga banesa e saj, edhe nëse godina do të shembet. Sipas saj, në derën e shtëpisë ka mbërritur njoftimi për lirimin e banesës deri më 16 shkurt.
E moshuara kërkon që shteti t’i sigurojë një apartament brenda qytetit të Durrësit, duke refuzuar zhvendosjen në zonën e Spitallës apo në zona të tjera. Ajo tregon se prej rreth 70 vitesh jeton në atë banesë, të cilën, sipas saj, e ka blerë vetë.
“Unë kam 70 vite që jetoj në atë shtëpi. E kam ble vetë, nuk ma ka dhënë shteti. I kemi bërë me fukarallëk. Më bëri përshtypje si nuk erdhi një zyrtar me thënë ‘do t’i prishin’, por vetë shkruanin, vetë vulosnin. Edhe sjellin postierët për të sjellë letrat, por nuk i morëm. Letra që do të dilnim nga shtëpia më datë 16 shkurt. Qeveri është kjo? Shtëpia është e imja, ai duhet të vijë të më kërkojë mua sesa ia jap unë shtëpinë. Ose të më japi apartament brenda Durrësit se unë në Spitallë nuk shkoj. E kam vendosur unë do të rri brenda në shtëpi, le ta shembin dhe ta marri vesh gjithë bota se çfarë qeverie kemi. Unë rri do rri brenda, e vdekur se e vdekur jam. Gjithë jetën vetëm kemi vuajtur, si më të parin si me të fundit, njësoj janë të gjithë”, u shpreh Sofie Simaku.
Përveç saj, edhe banorë të tjerë të prekur nga projekti kanë dalë në protestë, duke kundërshtuar bonusin e qirasë të ofruar nga bashkia si zgjidhje përkohshme. Ata theksojnë se nuk janë kundër zhvillimit urban të zonës, por kërkojnë garanci për strehim të sigurt dhe të përhershëm, duke shprehur shqetësimin se po u merren banesat pa iu siguruar një alternativë e qëndrueshme.
Lini një Përgjigje