Tafa ishte pezulluar dy ditë më parë pas ngjarjes së rëndë të shkaktuar nga shoferi Nikoll Radaçi, i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Tragjedia e Durrësit ku humbën jetën dy të mitur 'i ka ngrënë' kokën shefit të Policisë së këtij qyteti. Afrim Tafa, është shkarkuar nga detyra vetëm dy ditë pasi ishte pezulluar.
Vendimi është marrë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ndërsa arsyeja e shkarkimit lidhet me performancën e dobët në drejtimin e strukturës policore.
Tafa është emëruar si shef sektori pranë Interpolit, detyrë që e ka mbajtur edhe më herët para se të merrte drejtimin e policisë në këtë qark.
Ky vendim vjen pasi dy ditë më parë Drejtoria e Standardeve Profesionale nisi hetim disiplinor për të vlerësuar nëse ka përgjegjësi nga ana e punonjësve të policisë.
"Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast", njoftonte policia.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë, kur 57-vjeçari Nikollë Radaçi, i cili dyshohet se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, përplasi për vdekje dy të mitur Enea Muçajn, 12 vjeç dhe Klersi Nikollin, 10 vjeç.
Pas aksidentit fatal, Policia e Shtetit njoftoi rikthimin e patrullave në terren për kontrolle dhe ndalime të drejtuesve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Ky vendim vjen vetëm pak javë pasi, më 10 prill, ishte urdhëruar reduktimi i ndalimeve nga patrullat e policisë rrugore në akset interurbane.
Afrim Tafa kishte drejtuar Policinë e Durrësit për rreth tre muaj e gjysmë. Ai ishte emëruar në këtë detyrë nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Ashtu siç erdhi shkoi!! Të fala nga Shkozeti.....