KLSH ka zbuluar shkelje të shumta me projektet në Akademinë e Shkencave...
Batërdi vjedhjesh në Akademinë e Shkencave. Skënder Gjinushi duket se po ndjek të njëjtën rrugë si paraardhësit e tij, pasi ai bashkë me kolegët po bëjnë ç’është e mundur të mbushin xhepat me projektet e Akademisë. Konstatimet janë dhënë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka kryer një auditim për periudhën 2020-2023. Në këtë auditim janë zbuluar pa fund shkelje.
Sipas KLSH, gjatë auditimit në terren, për gjithë periudhën objekt auditimi, nuk është vendosur në dispozicion asnjë dokumentacion për sa i përket përgatitjes së projekt - buxhetit vjetor, si një nga detyrat funksionale të Kryesisë.
“Për vitin 2021, nuk rezulton asnjë dokument i mbledhjeve të kryera nga GMS, ku pjesë e saj janë edhe anëtarët e Kryesisë, për përgatitjen e projekt-buxhetit vjetor. Për periudhën 2022-2023, u konstaua se në përfundim të takimeve të kryera nuk janë mbajtur protokollet e mbledhjeve për vendimet respektive të çdo mbledhjeje, të cilat duhet të ishin regjistruar nga sekretari dhe të vendoseshin në dispozicion të drejtimit të njësisë publike, veprime në kundërshtim me nenin 27 të Ligjit nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”’, thekson raporti.
Nga auditimi konstatohet se në rendin e ditës të miratuar nga kryetari me nr. 421 prot., datë 17.06.2021, nuk janë planifikuar diskutimet për miratimin e disa amendamenteve në Statut dhe në rregulloren “Për çmimet shkencore që akordohen nga Akademia e Shkencave dhe për mënyrën e organizimit të konkurseve të tyre”, veprim ky në kundërshtim me nenin 8, pika 1 e Ligjit Nr. 8480, datë 27.05.1999 “Për funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”. Me Vendimin e Asamblesë nr. 47, datë 21.07.2021, vendim qarkullues, janë miratuar amendimet e Statutit, në kundërshtim me nenin 27, pika 1, të Statutit, ku nuk përfshihen në vendime qarkulluese të Asamblesë ndryshimet e amendamenteve në Statut. Pra ky vendim është marrë në kundërshtim me përcaktimet statutore.
Por abuzimi më i madh është me projektet. Nga auditimi në terren për projektet e financuara nga Akademia u konstatua se:
- Në Akademinë e Shkencave në 3 raste, rezulton që nuk kanë gjetur zbatim përcaktimet e nenit 45 “Njësitë afatshkurtra”, pika 2 i Statutit të ASH miratuar me Vendim të Asamblesë nr. 22, datë 18.10.2019, i ndryshuar, pasi nuk ka raportime mbi statusin e secilës fazë të studimit, si dhe mungon një preventiv për të argumentuar nevojat financiare (respektive nga secili projekt për secilën fazë) me qëllim miratimin e vijueshmërisë apo jo të tyre; Për projektet e Qendrës Kërkimore Nanoteknologjike NanoAlb, që shtrijnë veprimtarinë përkatësisht në laboratorët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, laboratorin e Fizikës në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në disa universitete në Kosovë, referuar të dhënave vendosur në dispozicion të audituesve rezulton se janë kryer 5 projekte, për periudhën 2022-2023 të cilët mbajnë statusin në proces, me vlerë totale të shpenzimeve deri në fund të vitit 2023 prej 9,048,239 lekë.
1.1 Gjetje nga auditimi:
Nga auditimi mbi raportet e dërguar në ASH nga ana e ekipit të punës mbi projektin “Studimi sero-epidemiologjik i Gjendjes imunitare ndaj virusit SARS-CoV-2 në popullatën shqiptare” drejtuar nga z. G.S, përfunduar të 4 fazat e studimit me kosto totale prej 24,163,492 lekë:
- Mungon gjurma e administruar e komunikimit me institucionet përgjegjëse (Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Instituti Shëndetit Publik apo institucione të tjera të cilat u morën me menaxhimin e pandemisë) për të koordinuar punën apo dhënë orientime/sugjerime referuar studimit, përcaktuar në projekt propozimin për studimin “Faza e III e studimit të seroprevalencës së antitrupave, anti-SARS-CoV-2 si dhe e përgjigjes imunitare ndaj këtij virusi në popullatën shqiptare”, datë 05.11.2020; pika 1 “Rëndësia e studimit”, paragrafi 2.
1.2 Gjetje nga auditimi:
Nga auditimi mbi dokumentacionin justifikues lidhur me projektin pilot “Përzgjedhja e materialit bimor të kumbullës, të kontrolluar nga viruset sipas protokollit, për krijimin e impiantit pilot nëpërmjet shëndetësimit dhe mikroshumimit, në funksion të fillimit të certifikimit të materialit mbjellës, VITROCERT” drejtuar prej zj.E.K, udhëheqëse e projektit, kosto paraprake e tij deri në fund të vitit 2023 është 2,323,798 lekë.
Ka përfunduar faza e parë në v.2022 me vlerë 867,600 lekë ka vijuar me statusin në proces faza e dytë deri fund vitit 2023 me vlerën 1,456,198 lekë u konstatua se:
- Në përfundim të fazës së parë, “Vitrocert 2 - 2022” nuk rezulton gjurmë dokumentare e rezultatit final (raport) nga ky projekt. Në kushtet e mungesës së dokumentacionit justifikues bazë, argumentues dhe të domosdoshëm në aspektin e dokumentimit financiar vlera prej 23,387,530 lekë (21,063,732 lekë për projektin e Seroimunologjisë, 2,323,798 lekë për projektin Vitrocert) përbëjnë shpenzim jo efektiv të buxhetit të shtetit. (Më hollësisht trajtuar në pikën 3.3 faqe 35-111 të Raportit Përfundimtar të Auditimit).
Nga auditimi i dokumentacionit justifikues mbi projektin “ArkeoBylis – gërmime metoda gjeofizike i agorasë së Bylisit” drejtuar nga z.N.C, udhëheqës i projektit, me kosto totale prej 2,821,434 lekë u konstatua se:
- Mungesë e informacionit lidhur me personat/punëtorët që ishin pjesë e këtij studimi, si në numër personash po ashtu edhe në trajtë nominale për të verifikuar se për cilët është kryer pagesa.
- Në raportin e dërguar në ASH për veprimtarinë e projektit Arkeobylis 2023 nuk rezulton që ky raport të përmbajë ekstremitete të regjistrimit (vetëm nënshkrimi i drejtorit ekzekutiv pa numër protokolli, datë).
- Nuk ka asnjë rezultat final të dokumentuar nga ky projekt, apo gjurmë e publikimit të rezultateve të studimit. Në kushtet e mungesës së dokumentacionit justifikues bazë dhe të domosdoshëm vlera prej 2,821,434 lekë përbën përdorim jo efektiv të fondeve të buxhetit të shtetit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje