Raporti i ILD, rritet ndjeshëm numri i ankesave për gjyqtarët dhe prokurorët...
Pavarësisht se kanë kaluar gati 8 vite nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi, qytetarët vijojnë të përballen më të njëjtat probleme, zvarritje gjyqesh, vonesa, korrupsion dhe vendime të dyshimta.
Reforma u bë për të dhënë drejtësi, por a po jepet drejtësi? Vëmendja është përqendruar te SPAK dhe arrestimet e bujshme, por kur vjen puna te qytetarët e thjeshtë a ka ndryshuar gjë? Pas reformës problemet kryesore ishin zvarritjet e gjyqeve, korrupsioni, vonesa burokratike, etj. Por edhe sot duket se ndodh e njëjta gjë.
Këtë ide të paktën të jep raporti i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pranë ILD për vitin 2023, vihet re një numër në rritje ankesash të depozituara, krahasuar me vitin e mëparshëm. Gjatë këtij viti janë depozituar 879 ankesa të reja.
“Në mbyllje të vitit 2022 janë mbartur për trajtim 2824 ankesa, ku 1752 janë ankesa të depozituara pranë ILD-së dhe 1072 janë ankesa të fondit backlog. Objekt shqyrtimi për vitin 2023 në total janë 3703 ankesa, duke përfshirë dhe ankesat e depozituara gjatë këtij viti (879). Nga këto ankesa, gjatë vitit 2023 janë shqyrtuar 2340 ankesa, nga të cilat 1268 janë ankesa të depozituara pranë ILD dhe 1072 janë ankesa të fondit backlog”, thuhet në raport. Pra, edhe pse reforma po ecën, pakënaqësia ndaj magjistratëve rritet.

Sipas raportit, nga 2340 ankesa të shqyrtuara rezulton se: 2012 ankesa janë depozituar nga persona fizikë; 327 ankesa janë depozituar nga persona juridikë, përkatësisht: 218 ankesa nga institucione publike; 92 ankesa nga subjekte private; 16 ankesa nga fondacione dhe organizata të shoqërisë civile; 1 ankesë nga media; 1 ankesë anonime, pasi nuk evidentohet emri i ankuesit.
“Ankuesit të cilët i drejtohen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kanë një përfaqësim gjeografik nga i gjithë vendi, ku peshën më të madhe e ka qarku i Tiranës me 803 ankues (34% të ankuesve), ndjekur nga qarku Vlorë dhe qarku Durrës, respektivisht me 227 ankues (10%) dhe 199 ankues (8.5%). Ndërsa qarqet të cilat shënojnë numrin më të ulët të ankuesve janë qarku Dibër, qarku Berat dhe qarku Kukës, respektivisht me 46 (2%), 44 (1.9%) dhe 27 ankues (1.2%)”, thekson raporti.
Ankuesit kanë depozituar pranë Zyrës së ILD-së ankesa, duke ngritur pretendime ndaj subjekteve magjistratë gjyqtarë dhe prokurorë. Nga 2340 ankesa të shqyrtuara, rezulton se pretendimet janë paraqitur në masën 68% për magjistratë gjyqtarë, 7% për magjistratë prokurorë dhe 22% për gjyqtarë dhe prokurorë së bashku.
Nga informacioni statistikor i ankesave të shqyrtuara gjatë vitit 2023, vihet re se pretendimet ndaj magjistratëve gjyqtarë që ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përbëjnë numrin më të lartë të ankesave. Ankesat për magjistratët e kësaj gjykate janë 15% e ankesave të shqyrtuara në total, ndjekur nga pretendimet ndaj gjyqtarëve që ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me rreth 13%. Renditja vijon me Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me rreth 6% të ankesave të shqyrtuara në total.
Sa i takon ankesave të shqyrtuara, mbi pretendimet ndaj magjistratëve prokurorë, rezulton se për prokurorët që ushtrojnë detyrën në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është shënuar numri më i lartë i ankesave të ardhura, me rreth 6% e ankesave të shqyrtuara në total. Renditja vijon me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me rreth 2% secila. Për prokurorët e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) janë paraqitur rreth 1% e ankesave të shqyrtuara në total.
Nisur nga shqyrtimi i objektit të ankesave, rezulton se problematikat apo pretendimet e ngritura më së shumti nga ankuesit janë: Ankesa ndaj vendimmarrjeve të padrejta të magjistratëve gjatë shqyrtimit të çështjeve; Mos respektim të ligjit material dhe procedural nga ana e magjistratëve; Pretendime për zvarritje të gjykimit nga ana e gjyqtarëve por edhe zvarritje të veprimtarisë hetimore nga prokurorët; Pretendime për vonesa në arsyetimin e vendimeve gjyqësore.
Ndërkohë rezulton se në fund ILD ka nisur hetim disiplinor vetëm për 25 raste, duke hedhur në kosh ankesat. /Pamfleti
Lini një Përgjigje