
Ilir Beqaj vijon ta bëjë gjumin e qetë, ndonëse është i zhytur kokë e këmbë te afera e koncesioneve në shëndetësi. SPAK vuri në pranga sot Klodian Rjepajn, ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, ndërkohë që ai që firmosi koncesionin ja hodhi paq.
Gjyqtari Erion Bani ka kërkuar nga SPAK që të hetohet edhe Beqaj, pasi ka prova që e implikojnë. Deri më tani SPAK nuk e ka marrë të pandehur, por sipas juristit Kreshnik Spahiu, ai nuk do ja hedhë paq. Spahiu tha në një intervistë se Beqaj ka pasur lidhje të forta me biznesmenin që mori koncensionin.
“Burime nga prokuroria, që kanë vënë në dijeni dhe shërbimet partnere, më thanë se Beqaj ka pasur kontakte dhe njohje të drejtpërdrejta me Ilir Rrapajn. Madje një nga televizionet shqiptaro-amerikane e ka bërë publike pak minuta më parë. Çështja është në përmasat e një skandali, pasi do u kujtoja shqiptarëve se për një vepër 10 herë më të vogël se kjo, kryeministri i Bosnje-Hercegovinës 2 muaj më parë është arrestuar dhe dënuar me 4 vite për 100 shtretër spitali gjatë pandemisë. Këto janë vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Këta persona rrezikojnë deri në 12 vite heqje lirie”, tha ai.
Sipas juristit, në momentin që SPAK do të kopsitë dosjen, do kërkojë masë “arrest me burg” për Ilir Beqajn. Sipas tij, nuk e beson kush se zv/ministri e ka dhënë tenderin pa lejen e ministrit. Sipas Spahiut, dita kur Beqaj do jetë krah vartësit të tij në qeli nuk do të jetë e largët.
“Nga informacioni zyrtar i është kërkuar SPAK të merret nën hetim Ilir Beqaj. Kjo do të thotë se ka dyshime dhe prova që i rekomandohet SPAK ta marrë në cilësinë e të pandehurit. Deri në këtë moment Beqaj nuk është i pandehur. Nëse SPAK do i konsiderojë të mjaftueshme provat për ta marrë nën hetim, sipas logjikës dhe precedentit edhe masa e sigurimit do të jetë relevante me atë të zv/ministrit. SPAK do jetë i detyruar të kërkojë të njëjtën masë sigurie që ka kërkuar për zv/ministrin, i cili e ka pasur shok klase dhe fëmijërie Ilir Rapajn dhe sipas prokurorisë kishin raporte shoqërore, etj. A ka shqiptar të besojë se jepen 100 mln euro nga zv/.ministri dhe ministri nuk ka dijeni? Këtë nuk e beson askush. Sipas të gjithë logjikës, në ditët në vijim SPAK të marrë të pandehur dhe Ilir Beqajn me masën e sigurimit përkatëse”, tha ai.
Beqaj është ai që ka firmosur 3 koncensione abuzive: Të check-up, hemodializës dhe sterilizimit. Por teksa të gjithë prisnin që ai të arrestohej i pari, SPAK i ka dhënë mundësi të rrijë jashtë dhe pse jo, ndoshta të largohet nga vendi.
Lini një Përgjigje