Kjo drejtësi duhet të dalë vetë para trupit gjykues dhe të përgjigjet: A është e vërtetë që Ilir Beqaj ka blerë me para në dorë prokurorët e SPAK që të dalë pa lagur nga kjo aferë?
Ka shumë gjëra që nuk shkojnë me këtë drejtësinë tonë të re, por sot u vendos një tjetër precedent i padëgjuar, njësoj i rrezikshëm, si disa të tjerë të pak javëve më parë. Më në fund, pas 3-vitesh hetim, shumë marrjeve në pyetje e aludimeve, SPAK ka vendosur të veprojë për një nga skandalet më të mëdha të këtij vendi: koncensionit të sterilizimit në shëndetësi.
Nëse nuk ju kujtohet tamam, bëhet fjalë për dhënien e 100 milionë eurove, një njeriu krejt të panjohur, i quajtur Ilir Rrapaj, pronar i 40% të aksioneve të një kompanie me kapital 1000 Euro. Zero përvojë, zero garanci, por 100% lidhje me qeverinë e Shqipërisë, ministrin e asaj kohe të Shëndetësisë, Ilir Beqajn dhe natyrisht Bablokun - që sado del e përpëlitet ndër deklarata alla "përgjegjësia është personale" po i plasin "patatet e nxehta" një nga një në dorë.
Pra ky Iliri i Shëndetësisë i dha këtij Ilirit, pronar i 400 eurove në biznes, një koncension prej 100 milionë Eurosh për 10-vjet. Në këmbim, ky Iliri që erdhi në Shqipëri pas një përvoje të gjatë si refugjat i paderman në Itali, do t’i shiste spitaleve shqiptare për plot 400 mijë lek çdo set kirurgjikal të përdorur. Atë proces që spitalet e bënin vetë dhe askush nuk ishte ankuar, ato aparatura që shteti shqiptar mund t’i modernizonte me 1/10 e shumës që i dhanë këtij Ilirit të ardhur nga jashtë, monstra e Shëndetësisë së asaj kohe, Ilir Beqaj dora vetë e dha me koncension.
Dhe nuk mori fund me kaq, jo! Atë që specialistët e shëndetësisë asokohe e demaskuan me të madhe ndodhi: 10 milionët s’u dilnin dhe çdo vit kompania sillte fatura shumë më të larta sesa "specialistët" kishin parashikuar. U arrit deri aty sa, jo më larg se para një viti, ministrja pasardhëse e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu urdhëroi ndërprerjen e operacioneve. Do bëheshin vetëm ato urgjente. Fatura kishte fluturuar në stratosferë, fitimi i Ilirit, dikur pronar i 400 eurove kishte arritur në 2.5 milionë euro në vit dhe në total parashikohej të harxhoheshin edhe nja 20 milion euro më shumë nga sa kishte thënë Ilir Beqaj vaktit.
Bingo!
Kur duhen më pak se dy vjet që koncensioni të përfundojë dhe ai Iliri i vogël të fusë minimalisht 120 milionë euro në xhep, pasi u ngrit i madh e i vogël në këmbë duke dhënë fakte e shifra se kjo ishte më shumë se vjedhje, drejtësia vendosi të veprojë.
Por si? Arrestoi atë Ilirin, dikur pronar me 40% i një kompanie me kapital 1000 Euro dhe ish- Zëvendës ministrin e Shëndetësisë, Klodjan Rjepajn. Mbiemrat i kanë të ngjashëm, por nuk janë gjë. I lidh vetëm fati: i pari ka luajtur pronarin në emër të mafies qeveritare, i dyti, po ha burg në vend të shefit.
Ju kujton gjë kjo formulë? Është tipike mafioze e aplikuar gjerësisht në organizatat e strukturuara kriminale. Padroni vret, por në burg shkon shërbëtori.
Shkon në burg Rjepaj. Pse? Po Beqaj? Çfarë do të ndodhë me atë që ka dirigjuar çdo koncension në shëndetësi? Çfarë do të ndodhë me Ilir Beqajn që edhe kur nuk ishte më ministër mbikëqyrte dhe urdhëronte për çdo faturë koncensioni të lëshuar? Do të lihet i lirë Ilir Beqaj? Vërtetë do të tregohet kaq e guximshme kjo drejtësia e re shqiptare? Vërtet këta prokurorë mendojnë se shqiptaret do ta hanë sapunin për djathë duke besuar se një zv-ministër me çelësat e kashtës në qafë paska firmosur qindra milionë euro dhe Padronët e vet nuk dinin gjë?
Nëse është kështu, kjo drejtësi duhet të dalë vetë para trupit gjykues dhe të përgjigjet: A është e vërtetë që Ilir Beqaj ka blerë me para në dorë prokurorët e SPAK që të dalë pa lagur nga kjo aferë?
Ilir Rrapajn e morën nga shezlongu në Dhërmi dhe e çuan në burg. Do të përgjigjet për mashtrim. Klodjan Rjepaj, ish-zëvendësministër është burgosur si njeriu që ka kryer kontratën e koncensionit. Ka edhe nja dy ish- drejtorë të Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat e pafat të kësaj qeverie kriminale, dhe këta me shumë mundësi do rrinë në burg.
Po, ata që i morën këto para dhe sot po bredhin lart e poshtë nëpër botë me to, ata që Babloku u mundua t'i pastronte duke i bërë drejtorë të mëdhenj, ç' fat do të kenë?
A ka drejtësia e re një përgjigje për ta apo duhet të presim haber nga Serbia, ku Ilir Beqja është parë shpesh këto kohë....?/Pamfleti
Lini një Përgjigje