
Mimoza Gjika është pajisur me certificate vdekjeje në 30 tetor 2023, kur në fakt është në jetë dhe ka kërkuar certifikatë personale për pension.
Gjika tregon se edhe adresën e ka gabim, pasi nuk përkon me adresën e saj të vërtetë. Një tjetër problem është dhe statusi i saj. Zonja është e ve prej vitit 2009, por në Shqipëri rezulton e martuar.
Mimoza Gjika: Për të bërë dokumentet për pension, meqenëse jam 61 vjeç e 6 muaj dhe më takonte të marrë pension. Meqenëse unë në certifikatën personale figuroj si e martuar, më kërkuan nga zyrat e sigurimit shoqëror që të paraqes certifikatë martese. Në vend të certifikatës së martesës, më nxjerrin certifikatë vdekjeje. Edhe e shikoj, thotë që unë kam vdekur në ditën e dasmës, 25.04.1998.
Gazetarja: Vendi i vdekjes është në Lygourio, Greqi?
Mimoza Gjika: Po, në vendin ku jam martuar.
Gazetarja: Statusi juaj sot cili është?
Mimoza Gjika: Jam e ve unë tani.
Gazetarja: Prej sa vitesh?
Mimoza Gjika: Kam që në 2009-n, burri im ka ndërruar jetën. Edhe jam e ve, kam dërguar të marrë, të bëj shkëputjen, nga e martuar të njihem si e ve, edhe më thanë: “Meqë është shtetas i huaj nuk kemi ne të drejtë të bëjmë çregjistrimet këtu”.
Gazetarja: Tani do t’i bësh letrat e pensionit kështu siç e ke situatën?
Mimoza Gjika: Di unë, s’kam për ta marrë kurrë pensionin.
Punonjësja e gjendjes civile Berat, Ersila Kazazi tha se certifikata e vdekjes është një lapsus. Ndërsa për ndryshimin e statusit, Kazazi sqaron, se zonja duhet të çojë dokumentet me vulë apostile, për shkak se ka qenë e martuar me shtetas të huaj.
Ersila Kazazi: Zonja ka bërë një kërkesë tek e-Albania për certifikatë martese. Duke qenë se ajo është e martuar me shtetas të huaj, automatikisht merr thjesht certifikatë personale me shënimin poshtë që është e martuar me një shtetas të huaj. Gabimisht, ka qenë një lapsus dhe i kemi kërkuar falje 1000 mijë herë zonjës, në vend të shtypnim rubrikën certifikatë lindje, kemi shtypur gabimisht certifikatë vdekje. Dhe për këtë motiv i kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i kërkojmë vazhdimisht zonjës falje sepse siç thashë, ishte një lapsus i momentit.
Gazetarja: Ndërkohë zonja ka prej vitit 2009 që i ka ndërruar jetë bashkëshorti dhe ndërkohë ende konfiguron në Shqipëri që është me statusin e martuar. Çfarë veprimesh duhet të ndjekë që të kalojë në statusin e ve, në mënyrë që më pas të ndjekë edhe procedurat për të marrë pension këtu?
Ersila Kazazi: Thjesht të sjellë aktin e vdekjes të bashkëshortit që është mbajtur në Greqi dhe automatikisht ne bëjmë ndryshimin e statusit nga e martuar në e ve./ Tv Klan
Lini një Përgjigje