
Edhe pse ka mbi 20 vite që operon në Shqipëri dhe nuk ka paguar asnjë taksë mbi fitimin, kompania Bankers Petroleum ka kërcënuar shtetin shqiptar me arbitrazh ndërkombëtar.
Në një deklaratë zyrtare, kjo kompani, e përfshirë në hetim penal për pastrim parash, mashtrim dhe evazion fiskal, e akuzon Prokurorinë e Fierit për veprime “joproporcionale” dhe paralajmëron se do të ankimojë në gjykatat ndërkombëtare për mbrojtjen e “të drejtave të investitorëve të huaj”.
Hetimi ka zbuluar se Bankers ka fryrë qëllimisht shpenzimet për të shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin, duke kanalizuar fondet në kompani fiktive të lidhura apo përmes kontratave të dyshimta. Përkundër faktit që ka shitur naftë me vlerë mbi 532 miliardë lekë, kompania ka deklaruar 684 miliardë lekë shpenzime, një manovër financiare që ka ngritur dyshime serioze mbi pastrimin e parave dhe transferimin e fitimeve jashtë vendit.
Në vend që të përgjigjet para drejtësisë shqiptare, Bankers zgjedh të viktimizohet, duke anashkaluar faktin se ka shfrytëzuar në mënyrë të njëanshme një nga burimet më strategjike të vendit, pa dhënë asgjë në këmbim për buxhetin e shtetit shqiptar.
Reagimi i plotë
Kompania po ndjek me shqetësim hetimet ndaj disa prej drejtuesve e punonjësve të saj aktualë dhe të mëparshëm. Duam të përsërisim se ndryshimi i kontrollit tek investitorët aktualë ndodhi në shtator 2016.
Këto zhvillime vijnë pas muajsh mbikqyrjeje mbi komunikimet telefonike dhe sekuestrimit të sendeve personale dhe të punës të disa prej punonjësve tanë, të kryera në rrethana që ngrenë shqetësime serioze mbi procedurat dhe proporcionalitetin, duke kulmuar në masa kufizuese ndaj individëve dhe mjeteve të punës.
Ne rikonfirmojmë se:
-Marrëveshjet sipas të cilave Kompania operon në Shqipëri, dhe sistemi i "rikuperimit të kostove" në ato marrëveshje, i cili është në qendër të këtij hetimi penal ndaj drejtuesve dhe punonjësve të Kompanisë, u vlerësuan në një vendim përfundimtar të lëshuar nga një arbitrazh i ICC në vitin 2024;
-Megjithatë, Kompania po bashkëpunon plotësisht me autoritetet kompetente hetimore shqiptare;
-Të gjithë punonjësit kanë të drejtë të prezumohen të pafajshëm dhe kanë të drejtën për mbrojtje ligjore të pavarur dhe të drejtë;
-Kompania po ofron mbështetje të plotë ligjore për të gjithë stafin e prekur dhe garanton përfaqësim të plotë ligjor në çdo fazë proceduriale, duke mbështetur fuqimisht të drejtën e tyre për një proces të drejtë dhe të paanshëm.
Duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm që këto zhvillime mund të kenë në integritetin e operacioneve të saj në Shqipëri, Kompania ka angazhuar ekipe ligjore si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit për të bashkë-udhëhequr mbrojtjen ligjore, si brenda vendit ashtu edhe para organeve ndërkombëtare të arbitrazhit.
Kompania aktualisht po vlerëson të gjitha rrugët ligjore ndërkombëtare të disponueshme, duke përfshirë procedimet tek institucionet ndërkombëtare të investimeve dhe arbitrazhit sipas Rregullave të ICC-së, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të saj si investitor i huaj dhe ruajtjen e sigurisë ligjore të operacioneve të saj.
Kompania do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj kontraktuale dhe t’u përmbahet ligjeve shqiptare. Ne besojmë se as mekanizmat e lartpërmendur dhe as nxitja e tyre nuk duhet të zëvendësojnë dialogun në lidhje me zbatimin e vendimit përfundimtar të lëshuar në arbitrazhin e lartpërmendur të ICC-së, të cilin ne kemi shprehur prej kohësh gadishmërinë tonë për ta finalizuar dhe zbatuar.
Kompania jonë nuk do të pranojë asnjë ndërhyrje të pajustifikuar që dëmton stafin e saj, familjet e tyre, reputacionin e saj ose investimin e saj të gjatë në vend.
Në këtë mjedis sfidues, ekipi ynë kryesor ka demonstruar unitet dhe profesionalizëm, duke siguruar që operacionet e Kompanisë të vazhdojnë pa ndërprerje.
Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj partnerëve tanë dhe të gjithë palëve të interesuara duke përmbushur detyrimet tona me të njëjtën cilësi dhe besueshmëri, ndaj institucioneve shqiptare dhe mbi të gjitha, ndaj të gjithë punonjësve tanë, të cilët i kanë shërbyer misionit tonë me integritet dhe profesionalizëm.
Lini një Përgjigje