
Zamira Durda tha se nuk do të rreshtë së kërkuari drejtësi për djalin e saj. Ajo tregon se shpërthimin e 15 marsit të vitit 2008 e ka ende para syve dhe që nga ajo ditë nisi edhe jeta plot kalvar në dyert e drejtësisë, për të cilat thotë, se këto 17 vite vetëm i janë mbyllur para syve.
“Si dita e parë që ka ndodhur shpërthimi. Mendoja ‘ditën e djeshme’, 14 marsin, që kishte qenë lumturia ime familjes, sepse nga ajo ditë deri më sot kemi bërë një jetë të vështirë, të lodhshme, një jetë me shumë dhimbje. Na është mbytur në kalavar dhe dhimbje të mëdha, për familjen, burim e fëmijët”, tha Durda për “Report tv”.
Edison Durda ishte një nga 26 viktimat që shkaktoi masakra e Gërdecit. Ai ishte vetëm 6 vjeç dhe po luante me biçikletë, kur humbi jetën nga shpërthimi i fabrikës së vdekjes.
Zamira shprehet se djali i saj ishte i pafajshëm, ndërsa ndodhej shumë pranë duke luajtur me biçikletë.
“Më intereson vetëm gjetja e drejtësisë për tim bir, ia kanë marrë jetën në mënyrë të padrejtës. Faji i vetëm ishte pse doli të lozte me biçikletë, e dogjën, e poqën. Ne nuk ishim në luftë, po të ishte luftë do isha fajtore unë që ta ruaja fëmijën tim, por ai u vra nga shteti, u masakrua. Nuk i njihte as predhat, as municionet, asgjë. Betimi që kam bërë para arkivolit të tij, ditën që e kam nisur për banesën e fundmit, unë s’do rresht dhe motivi im është vendosja e drejtësisë. Kjo është forca ime”, tha Durda.
Zhgënjimin nuk e fsheh as për drejtësinë e re, për të cilën thotë se po zvarrit procesin gjyqësor. Ajo tregon se ish-ministri Fatmir Mediu ka dhënë urdhër që demontimi të bëhej nga punëtorë të pakualifikuar.
“Për familjarët e viktimave dhe mua, të gjithë dyert e drejtësisë më janë përplasur në fytyrë. Në të gjitha kanë mbajtur të njëjtin qëndrim sepse mbrojnë shtetin, edhe në Strasburg që e fituam nga 2009 dhe morëm fitoren vjet si krim shtetëror, Këtë kalavar kemi fituar vetëm të drejta e viktimës. Vazhdojmë në SPAK që kisha shpresë. Nga avokatët e të pandehurve thuhen që i trajtojnë viktimat si heronj. Kemi dy vjet me provat e prokurorit në SPAK, janë bërë qindra seanca.
Në GJJKO jam pjesë e procesit, i kam të drejtat e mia, por do dëgjosh të pandehurit, kemi dy vjet që zvarritet, jemi akoma tek provat e prokurorit. 6 muaj zgjati akti ekspertimi financiar. 3 muaj po shkon akt ekspertimi ushtarak. Për sa kohë që dha urdhër që demontimi të bëhej nga punëtorë të pakualifikuar. Ai (Fatmir Mediu) e ka dhënë këtë urdhër që ka zhveshur forcat e armatosura, transporti bëhej me mjetet e ushtrisë. Aty vepronte vetë ushtria shqiptare”, thotë Durda.
Madje, ajo shprehet se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu i ka kërcënuar edhe në sallën e gjyqit, duke u thënë mbyllni gojën, ndërsa avokatët e tij i kanë thënë gjyqtarit se po trajtohen viktimat si heronj.
“Ngriti zërin i pandehuri, na u ngrit drejtpërdrejtë, mbylleni gojën, i thuhet gjyqtarit po trajtoni viktimat si heronj. Mediu ju tha mbyllni gojën? Po, e tmerrshme, vetëm i pandehuri ka të drejtë, ne s’kemi asnjë të drejtë të flasim, edhe po folëm do dalim jashtë. 2 vite jemi ende tek provat e prokurorit, vetëm orë leximi, fjalime parlamenti, se s’ka asnjë provë, do vetëm të zvarrisë të përfitojë kohë. Na kërcënoi, na u hakërrua i pandehuri në sallë”, tha Zamira Durda.
Lini një Përgjigje