
Ka marrë jetë pakti për emigrantët Itali-Shqipëri. Qeveria italiane ka aprovuar sot paktin Rama-Meloni, ku duket se ka ndryshime.
Sipas “Ilmessaggero”, i gjithë operacioni – përfshirë udhëtimet e anijeve italiane për shpëtimin e emigrantëve dhe strehimi i tyre në Shqipëri, do të kushtojë rreth 200 milionë euro në vit.
Teksti saktëson se në Shqipëri do të dërgohen vetëm emigrantët e shpëtuar jashtë ujërave territoriale të vendeve anëtare të BE-së.
Projektligji konfirmon se juridiksioni në qendra do të jetë italian. Prandaj do të jetë Gjykata e Apelit e Romës ajo që do të trajtojë çdo ankim nga emigrantët së bashku me Shtabin e Policisë së Kryeqytetit. Në kampin e Gjaderit, do të ndërtohet edhe një burg i vogël për emigrantët që kryejnë krime.
Njerëzit brenda objektit do të lejohen të marrin pjesë në seancat dëgjimore me avokatë dhe gjyqtarë nëpërmjet videokonferencës dhe, nëse është e nevojshme, personalisht (shteti do të mbulojë të gjitha shpenzimet).
Mediat italiane shkruajnë se struktura e Gjadrit për emigrantët që do të presin përgjigje për azilin ose ata që nuk kanë të drejtë të hyjnë në Itali dhe që duhet të riatdhesohen do të ketë një sipërfaqe rreth 77 mijë metra katrore. Aty do të ndërtohen 10 godina që do të presin maksimumi 3 mijë persona njëkohësisht. Zv/sekretari i qeverisë italiane Giovanbattista Fazzolari tha se emigrantët mund të qëndrojnë në Shqipëri edhe përtej 28 ditëve, por maksimumi i lejuar nga ligji italian është 18 muaj. Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes Italia do të duhet paguajë 16.5 milionë Euro ndaj Shqipërisë.
Lini një Përgjigje