
Ditën e sotme do të jepet masa e sigurisë për personat e arrestuar, si pjesë e një grupi kriminal, në kuadër të një megaoperacioni të kryer nga Policia e Shtetit, ku SPAK lësjoi 15 urdhër-arreste.
Pas hekurave ka përfunduar ish-shefi i Forcave Operacionale, Oltion Bistri, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, ish-polici Ardit Hasanbega dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, por edhe të tjerë.
Në pranga u vunë dhe Edmond Preka dhe Astmer Bilali. Sakaq, masa do të jepet në mungesë edhe për personat e shpallur në kërkim, konkretisht për shtetasit; Behar Bajri Brahoviç, Ervis Martinaj, Denis Bajri Brahoviç, Klaudio Haka, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Mavraj si dhe Elion Hato.
Kujtojmë se policia dy ditë më parë ndërmori një aksion të shtrirë në disa zona të vendit, ku u ushtruan 16 kontrolle në banesa dhe u sekuestruan para, armë, maska e kamera. Ky grup kriminal akuzohet për vrasje, plagosje dhe një sërë krimesh të tjera.
Si kryheshin vrasjet dhe si u zbulua grupi
Çelësi i SPAK në hetimin që çoi në pranga një prokuror dhe ish-shefin e Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, ishin informacione të përcjella nga autoritetet franceze, belge e holandeze të drejtësisë, bisedat e të dyshuarve në platformat dikur të pagjurmueshme “Sky” dhe “EncroChat”.
Me besimin e një komunikimi të sigurit, anëtarët e grupit kriminal kanë marrë e dhënë porosi për vrasje, planifikuar krime, si edhe raportuar realizimin e tyre në kohë reale.
“U kry”, ishte një nga këto mesazhe, ku i tregohej të tjerëve se vrasja ishte realizuar me sukses. Mes komunikimeve të zbardhura është edhe porosia e biznesmenit Gjoka ndaj Bejhar Bajrit për një vrasje. Ndonëse është përfolur për një shumë 100 mijë euro në këmbim, biznesmeni ka pohuar se mund të jepte edhe 110 mijë euro.
Njëra palë ka pranuar të kryejë një vrasje për llogari të tjetrës, me kusht që tjetri të kryente një vrasje për llogari të tyre.
Po sipas dosjes, në një nga vrasjet, autorët i kanë shkuar edhe në varrim viktimës. Prokuroria e Posaçme konfirmoi zyrtarisht të premten lëshimin e 15 urdhër-arresteve për këtë dosje.
Gjashtë nga të dyshuarit, përfshi prokurorin Xhevahir Lita, biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistri, u arrestuan, ndërsa nëntë të tjerë janë të shpallur në kërkim.
Në role të ndryshme, SPAK iu ka vënë mbi shpatulla 12 vepra penale, mes të cilave “vrasje me paramendim”, “korrupsion i gjyqtarëve e prokurorëve”, “heqje e paligjshme e lirisë”, “trafikimit të narkotikëve”, “pastrim parash” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, ky hetim ka zbardhur të paktën gjashtë ngjarje kriminale të ndodhura në vend në periudhën 2019-2022.
Në role të ndryshme, anëtarët e grupit kriminal dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e Gjin Boriçi Ndojit në gusht 2020 në Shkodër, tentativën e vrasjes së Taulant Pepës në të njëjtin qytet në shkurt 2021, krijimin e kushteve për vrasjen e Kleant Musabelliut në Tiranë në vitin 2020, si edhe atë ndaj Ibrahim Liçit, Dorian Dolit dhe Genc Tafilit në vitin 2020.
Nga operacioni i koduar “Metamorfoza” janë kontrolluar edhe 26 banesa e ambiente, ku janë gjetur e sekuestruar shuma monetare, automjete, armë zjarri të ndryshme, maska e pajisje elektronike.
Lini një Përgjigje