
Partizani ka zyrtarizuar “divorcin” me trajnerin Zoran Zekiç, Të kuqtë kanë pranuar kalimin e tij tek Osijek nëpërmjet pagesës së 100 mijë eurove, duke përfituar financiarisht nga dëshira e kroatit për t’u kthyer në vendlindje.
"Demat" po ashtu kanë bërë të ditur se të paktën deri në derbin ndaj Tiranës, drejtimi i skuadrës i besohet drejtorit sportiv, Arbër Abilaliaj dhe asistentëve të stafit të Zekiç, të cilët vazhdonin të mbeteshin pjesë e kryeqytetasve.
Në kampionat, Partizani renditet në vendin e pestë me 11 pikë. Sa i takon divorcit me klubin e Superiores, kroati Zekiç u shpreh pas ndeshjes së djeshme me Kukësin se kishte probleme personale, ndërkohë që emri i tij është lakuar shumë për një kalim te Osijek.
Njoftimi:
Zyrtare
Klubi i Partizanit njofton arritjen e marëveshjes me NK Osijek për transferimin e trajnerit Zoran Zekić. Tekniku kroat për shkak të arsyeve familjare ka kërkuar të vazhdojë profesionin afër familjes së tij dhe Klubi i Partizanit pas dakordësisë me klubin kroat lejoi transferimin e Zekić te NK Osijek. Falenderojmë trajnerin Zoran Zekić për kontributin e tij në drejtimin e stolit të kuq dhe i urojmë suksese në karrierë.
Në drejtimin e skuadrës do të vazhdojë stafi teknik i kryesuar nga Drejtori Sportiv Arbër Abilaliaj mbështetur nga Mario Kuić, Renaldo Kalari, Kushtrim Voka dhe Marko Matijević.
Lini një Përgjigje