
Shqipëria do luajë të dielën kundër Polonisë në “Air Albania”. Sfida vlen për kualifikueset e “EURO 2024”, me kuqezinjtë që para këtij dueli udhëtojnë drejt Pragës, ku luajnë me Çekinë.
Për ndeshjen që luhet në Tiranë, janë konfirmuar të paktën 1200 ultras polakë. Të njohur për ashpërsinë dhe përleshjet në stadiume, duket se policia dhe security në kryeqytetin tonë do kenë një punë të vështirë për menaxhimin e tyre.
Hera e fundit që ultrasit e Polonisë ishin në Shqipëri, daton më 12 tetor 2021, kur për kualifikueset e Botërorit kuqezinjtë humbën 0-1 me një gol të Karol Sviderski në minutën e 77.
Në atë duel, ultrasit e Polonisë shkaktuan kaos, duke hedhur sende të forta kundrejt tifozëve të Shqipërisë, duke qenë se ishin në katin e dytë të stadiumit. Veç kësaj, me futjen e policisë në sektorin e tyre për të qetësuar situatën, polakët që njihen për huliganizëm u përleshën edhe me policinë.
Veç tyre, precedentët e përballjes së skuadrave shqiptare me ato polake janë disa, kur kujtojmë se tifozët e Legias së Varshavës shkaktuan kaos asokohe në “Qemal Stafa”, në përballjen e tyre me Kukësin për ndeshjet evropiane.
Kujtojmë se ultrasit e Polonisë shkaktojnë zhurmë dhe kaos në thuajse çdo stadium ku shkojnë në udhëtim, duke përmendur edhe rastin e muajve më parë në “Wembley” të Londrës, ku përleshja e tyre me policinë angleze ishte e madhe.
Lini një Përgjigje