TAGS-AT E JAVËS

Sport 9 Qershor 2026, 19:29

Zhgënjim i madh në kualifikueset e Europianit, Shqipëria U-17 pëson humbje të thellë ndaj Ukrainës

Shkruar nga Pamfleti
Zhgënjim i madh në kualifikueset e Europianit, Shqipëria U-17
Kombëtarja U-17

Kombëtarja shqiptare U-17, e drejtuar nga trajneri Armand Dama, u mposht me rezultatin e thellë 4-0 nga Ukraina U-17 në ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë të Ligës B në kualifikueset e Kampionatit Europian.

Takimi u zhvillua në stadiumin e Egnatias, ku ukrainasit siguruan avantazhin në minutën e 42-të të pjesës së parë. Situata u vështirësua më tej për kuqezinjtë në fundin e këtij fraksioni, kur Frensi Mali u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë Shqipërinë me një lojtar më pak.

Në pjesën e dytë, Ukraina shfrytëzoi epërsinë numerike dhe realizoi edhe tre gola të tjerë, duke vulosur fitoren 4-0.

Pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë ndaj Letonisë, Shqipëria U-17 mbetet në vendin e fundit të grupit, duke komplikuar objektivat në këtë fazë të kualifikueseve.

Rezultatet negative kanë shoqëruar edhe Kombëtaren U-19 gjatë këtij muaji. Ekipi i të rinjve zhvilloi dy ndeshje miqësore ndaj Bullgarisë, të cilat i humbi pa arritur të shënojë asnjë gol, ndërsa pësoi katër në total.

Kështu, ekipet zinxhir të Shqipërisë po kalojnë një periudhë të vështirë, me rezultatet në fushë që nuk kanë qenë në nivelin e pritshmërive.

shqipëria u-17 ukrainë u-17 kualifikueset e kampionatit europian

Lini një Përgjigje