
Parma është skuadra e radhës që kërkon shërbimet e Armando Brojës. Sulmuesi i Kombëtares duket se i ka ditët e numëruara te Çelsi dhe paçka kontratës që e lidh me "Blutë" deri në verën e vitit 2028, trajneri Enzo Mareska nuk e sheh si pjesë të projektit, duke e lënë në shtëpi dhe duke mos e marrë me vete në Kupën e Botës për Klube, aty ku Çelsi i tij u shpall kampion.
Skuadra italiane ka filluar të bëjë investime gjithnjë e më të rëndësishme, duke shfaqur ambiciet e pronarëve amerikane të cilët duan që të arrijnë objektiva prestigjiozë me projektin që sapo kanë nisur me trajnerin 29-vjeçar Karlos Kuesta.
Është gazetari i njohur italian, Nikolo Skira, që bën me dije se Parma ka shfaqur interes për Brojën. E sigurt është se Broja do të duhet të sistemohet në një klub të ri, në huazim ose përfundimisht, me Çelsin që kërkon afërsisht 18 milionë euro për ta lënë të lirë produktin e akademisë.
I shoqëruar nga disa dëmtime, ylli i Brojës filloi të zbehej dhe dy sezonet e fundit djaloshi nuk e ka gjetur formën; ato paraqitje që e vendosën në faqet e para të medieve në Evropë.
Mbase një nisje e re në Serinë A do i bënte mirë Brojës, i cili duhet të rifitojë besimin dhe të tregojë aftësitë që ka në këmbë. Veç Parmës, edhe klube nga Bundesliga apo Holanda kanë shfaqur interes për të marrë Brojën, të paktën në huazim.
Për momentin Broja është duke shijuar pushimet me të dashurën, duke u parë edhe në Shqipëri.
Lini një Përgjigje